Vështrim nga LB-ja

POLITIKA PA VIZION PO PRODHON FËRKIME TË PANEVOJSHME ME PARTNERËT NDËRKOMBËTARË

Këto ditë, udhëheqësit e institucioneve po përballen me kërkesën e shteteve të QUINT-it për shtyrjen e afatit për targat. Përgjigjja e tyre vazhdon të jetë refuzuese. Është e vërtetë që kjo çështje do zgjidhje, por qasja krejtësisht e gabuar e institucioneve tona po shkakton përplasje të panevojshme me partnerët tanë. Targat nuk janë thelbi por simptoma e problemit të pazgjidhur me Serbinë. Prandaj, edhe trajtimi i kësaj çështjeje si e veçantë, e shkëputur nga thelbi është e gabuar. Probleme të tilla të përditshme janë të panumërta, prandaj marrja veç e veç me secilën prej tyre është vetëm humbje kohe, pa ndonjë rezultat domethënës. Zgjidhja e problemit kryesor, politik, me Serbinë, çështjet e tilla si kjo e targave do t’i bënte inekzistente. Në fakt, duket se pikërisht për shkak të mungesës së vizionit e guximit, ikja nga problemi kryesor dhe marrja me ato periferike, përbën vet strategjinë e Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës.