Nga e nderuara Elvira Zeneli: Kjo botë , gati si ziliqare !

Elvira Zeneli

Kjo botë, gati si ziliqare,

E ngushtuar nën hijen e urrejtjes,
E mbushur — përkundër — nga drita e dashurisë.
Jo, ti nuk je thjesht poet që zvarritesh nën rrëke,
Diku ku kap një peshk e mban peng,
Në rrjetën e thurur nga dyshimi i egër.
Shpirti im — një lum i rrëmbyeshëm,
Përplas pengesat, dhe stërkalat i çon në pafundësinë e qiellit.
Një ylber i shpërqendruar lind nga këto stërkala,
Dhe dielli e pikturon me ngjyrat e tij të çmendura.
Por trupi im është kapur nga ethet, të paftuara,
Pse rikthehen, këto ethe?
A mos bëra mëkat që të besova,
Dhe zemrën — të hapa në duart e tua,
Ty, mëkatari me shpirt fisnik?
Megjithatë, nuk është mëkat të jesh ylber frymëzimi,
Ylber që ndriçon në sytë e mi të gjelbër,
Zemërmirë shpesh, dhe rrallë me akull,
Koha për ta s’rrjedh kot,
Në kërkim të dashurisë së sigurt, por edhe të zjarrtë.
Sa rebele është bërë kjo zemër,
Si sahat i ndërtuar mbi sahat-kullën e mishit,
Ku rrahjet e saj — gjaku dhe mishi — tingëllojnë fort,
Duke krijuar ritmin e një kënge magjike,
Me të cilën vallëzojnë yjet e universit të tërë.
Një gotë vere do ta pimë,
Dhe nëse derdhet mbi trupin tim,
Do të dehemi në përjetësi.
Jo kot, burrat e mençur lotojnë para gruas së zemrës,
Do të më thoshte për mollët e kopshtit të Edenit,
Që këtu pranë meje nuk janë të ndaluara,
As ti nuk je Adami, e as unë Eva.
Nuk jam Afërdita e hyjnive,
Por një grua e zakonshme, poete që dashuron me shpirt,
Jo si ti, poet që zvarritesh poshtë,
E s’përvëlon dot veçse fjalë…
Me të gjitha ëndrrat njerëzore jetoj në këtë botë që zvogēlohet nga ligësia
Në këtë botë të zmadhuar nga dashuria.