Qëndron Kastrati në garë përsëri
Nga Kika e Hogoshtit fillon historia, te njerëzit e Kamenicës merr kuptim.
Malësia e bukur me fshatrat e saj të veçanta, qyteti ynë simpatik dhe mbi të gjitha njerëzit e mirë e të dashur janë arsyeja pse po rikthehem të garoj për Kamenicën.
Gjatë viteve të fundit kam investuar në zhvillimin tim personal e profesional dhe kam përfunduar studimet e nivelit master në Londër, në drejtimin “Politika e Klimës, Inovacionit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Ky ishte një hap i rëndësishëm, sepse përvoja në qeverisje më ka dhënë praktikën, ndërsa studimet më kanë dhënë vizionin. Sot i kuptoj edhe më qartë nevojat e një komuniteti: si ndërtohet zhvillimi, cilat boshllëqe duhen mbushur dhe cilat mundësi duhet kapur.
Ky drejtim më ka përforcuar bindjen time: rruga është zhvillimi, prioriteti është qytetari, dhe synimi është Kamenica krenare!
Bashkë me ekipin tim, kandidatët për asamble, aktivistët e përkushtuar dhe mbështetësit, ditëve në vijim do të tregojmë se pse Kamenica ka nevojë për ne dhe pse duhet të na besoni.
Kjo është dëshmia: lista më e plotë që i duhet një qyteti. Me Labinotin (1), Djellonën (2), Ardianën (3), Sinanin (4), Blinerën (5), Besimin (6), Besën (7), Albanin (8), Besianin (9), Jetonin (10), Albertin (11), Sarën (12), Besimin (13), Naimin (14), Miniveren (15), Bekimin (16), Bardhin (17), Ramizen (18), Albanën (19), Aurelin (20), Meritonin (21), Kushtrimin (22) dhe Magbulen (23).
Nga secili kënd i qytetit tonë, këta emra janë garanci për ndershmëri, përkushtim dhe sinqeritet. Të radhitur me short, pa renditje te paracaktuar, sepse secili është i barabartë në këtë mision: Kamenica e drejtë, Kamenica turistike, Kamenica që na bënë krenarë.
Rikthimi im është më shumë se një hap politik. Rikthimi im është rikthimi i besimit se secili trajtohet me dinjitet, se mund të punohet pa dallime dhe me drejtësi. Është rikthimi i meritës, transparencës, investimeve dhe vëmendjes pozitive. Ky rikthim është kthimi i institucioneve te qytetari, jo si vegël e pushtetit por si shërbim për të gjithë.
Sot shpall kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Kamenicës, me bindjen e plotë se së bashku mund t’ia rikthejmë Kamenicës jo vetëm zhvillimin, por edhe dinjitetin. Përtej dallimeve e inateve politike, është koha të bashkojmë potencialin. Bashkë mund të zgjidhim hallet e përbashkëta, bashkë mund të krijojmë jetë më të mirë.
Unë besoj në Kamenicën. Unë besoj në juve. Unë jam gati me ju shërby prapë!
Për çdo familje, për fitoren tonë të përbashkët!