Një udhëpërshkrim emocional nga Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
RRËFIME EMOCIONALE
(Braktisja e fshatrave)
Ishte mbasdite dhe po nisesha nga Tirana për në Burrel, drejt rrugës së “Arbërit”.
Në anë të rrugës e cila kalon nēpër fshatra (dikur të thellë malorë), por sot janë shumë pranë Tiranës, shikoj një të moshuar që po shiste disa qepë të thata dhe patate. Ndaloj makinën dhe i afrohem.
E pyes si është me shëndet dhe e pyes për kg e qepëve dhe patateve.
Më shumë doja të bisedoja me të, se sa isha e interesuar për ato se ç’ka shiste.
E pyes; sa banorë ka pasur fshati?
- dikur kishte mbi 250 familje, ndërsa tani…filloj t’më tregonte me lagje sesa banorë kishin mbetur për secilën nga lagjet. Gjithsej rreth 20 familje. Nga këto janë vetëm pleq e plaka, sepse fëmijët u kanë ikur jashtë Shqipërisë
Biseda ishte mjaft e këndshme dhe e dhimbshme. Më tregonte se dikur rruga e fshatit të tyre kishte qenë urë lidhëse e Dibrës dhe Tiranës, ku tregtarët flinin nē hanin e tyre në krye të fshatit Xibër, “Hani i hoxhës” kêshtu quhej, sepse i zoti i tij kishte qenë hoxhë me zë e me emër; – vazhdon rrëfimin i moshuari. Duke më treguar për jetën e vështirë të fshatit si para viteve 90-të po ashtu edhe sot.
Në bisedë e sipër na ftoj të pinim kafe në shtëpinë e tij, sepse njihnim miq të përbashkët, për të cilët kishim shumë respekt. U futëm në rrugicën e ngushtë të lagjes.
Cicërimat e zogjve dhe sidomos qyqen këngëtare i dëgjon shumë rrallë. Flora dhe fauna janë si të thuash, motra. Po u zhduk njëra, zhduket dhe tjetra.
Kushtet nuk i kam si juve në Tiranë, por kam vend mjaffueshëm për të pritur miq.- ti, ke zemrën e madhe, kështu që ju i keni kushtet më të mira se ato që jetojnë në kryeqytet. A ka kushte më të mira kur ke një shpirt të bukur e të sinqertë dhe një zemër të bardhë e të madhe? Qeshi dhe më tha:- Zoti ju bekoftë moj bijë bashkë me fëmijët dhe familjarët e tu të dashur!
Ajo kafe më shijoi më shumë se çdo kafe që kisha pi në lokale ku shkëlqejnë tavolinat dhe luksi.
Shikoj një shtëpi të rrēnuar dhe e pyes se kush ka jetuar aty. Xhaxhai im;- m’u përgjigj.Shikoj gjithçka të rrënuar. Në mur ishte një llambë vajguri. Kushedi kush dorë e ka vënë dhe dukej sikur po më thoshte;- kam ndriçuar dhe vazhdoj të ndricoj e heshtur në mur me shpresën se dikush do kujtohet për mua, do të kujtojë për dritën time kur kanë qeshur dhe kanë qarë në këto troje. Kur kam bërë dritë në lindjen e një fëmije….
Dy oxhaqe ku vetëm rrasat e gurëve qëndronin dhe më tregonin sa njerëz janë ulur pranë tyre duke kuvenduar, duke pritur miq e duke bërê dasma e morte. Mbi një tra shikoj një arkën e pajës së nuses. Ishte e prishur, e shkatërruar nga lodhja, nga dëshpërimi por një hije gëzimi sikur e ndriçonte. Ajo ishte gjëja më e shtrenjtë e nuses, ajo paloste rrobat e saj dhe dhe të burrit dhe ruante kujtimet e nusërisë.
Ai prag shtëpie rrinte akoma në këmbë, sikur i thoshte motit dhe kohës nuk më mposhtni, unë do të pres e do të pres derisa tê vijë imzot me nipër e stërnipër, me mbesa e stërmbesa se dua ta gjallëroj përsëri këtë derë, ti jap jetë e ta frymoj. Nuk dua të humbë brezi nga brezi por të mblidhen te kjo fole ku hëngrën bukë të gatuar nga duart e nënës në magje, të ulen rreth sofrës e pranë oxhakut që të gëzojnë gurët e sokakut.
Biseda vazhdoj edhe pak sepse në murin e shtëpisë së tij pashë një torbë të bërë me lëkurë keci e cila regjej me kripë dhe përpunohej(ma shpjegoj vetë ai)E shtyrë nga kurioziteti i them si bëhej dhe përse e bēnit?
E bënim për bariun kur shkonte në pyll me bagëtinë, fuste bukën me ushqimin si dhe ujin. Lëkura i mban shumë mirë ushqimet dhe nuk depërton të nxehtit në të dhe as të ftohtin në dimër. Si dhe për të mbajtur miellin e misrit që të mos prishej mielli, të mos idhtohej.
Një bisedë mjaft e këndshme aq sa e bukur dhe e vuajtur.
Me çiftin e pleqve bujarë u ndava atë buzëmbrëmje. Edhe unë u thashë po të njëjtat fjalë: “Do të vijë dita, kur të gjithë të larguarit do të kthehen…”. Përdora edhe fjalë tjera shpresëdhënëse, por e shikoja fytyrën e tij që nuk besonte
Mora rrugën e kthimit. Ashtu e mërzitur dhe e lodhur, mendohesha rreth kësaj fatkeqësie që i ndodhi mbarë vendit të shumëvuajtur. Më këtë që na ndodhi, duhet të kujtojmë historinë e Mesjetës së hershme në disa qytete të Evropës. Nga këto mendime të trishtuara m’u kujtua një thënie e bukur e një shkrimtari libanez: “Shtëpia ime e braktisur më thotë mos shko larg meje, se këtu jeton e kaluara jote”.