Guximi prozë poetike nga Afërdita Podvorica

GUXIMI
(prozë poetike)

Guxo të ecësh me kokën lart, edhe kur hapat të dridhen. Dhimbja mund të të ndjekë, por mos e lejo të të ndalojë. Mundohu të mos ushqesh urrejtjen ajo gërryen shpirtin ngadalë dhe në heshtje. Frikën, sfidoje. Lëre pas, si një hije që nuk meriton të të ndjekë më. Shpirti yt meriton dritë, jo peshë.

Jepi dritë errësirës përreth teje, edhe nëse është vetëm një dritëz e vogël një buzëqeshje, një frymë e thellë, një mendim që të mban në këmbë. Mos e humb shpresën. Jeta nuk matet me peshoren e dhimbjes, sepse askush nuk mund ta peshojë siç e ndjen ti.

Përpiqu të sjellësh një rreze hëne në dritaren tënde. Mbase ajo dritë e butë do ta largojë lotin nga sytë. Vrapo drejt yjeve jo për t’i kapur, por për të mos u ndalur. Lëre trishtimin pas, edhe nëse të ndjek në heshtje.

Dhe kur hëna të të shohë duke ecur, do të qeshë me sytë e saj të qetë. Sepse do ta dijë që ti ke guxuar. Jo për të qenë e pathyeshme por për të qenë e vërtetë.