Nga Genc Sefa-Lushnja

BORXHET QË S’HARROHEN

Kur të iki,
do të marr me vete një thes borxhesh,
jo nga pazaret e botës,
por nga rrugët ku lashë gjurmët e jetës time.

I kam borxh Atdheut një betim të parealizuar,
një flamur që mbeti i palosur në erën e gabuar —
për tokat që fqinjët kanë robëruar,
ndonëse në këtë jetë shumë kam luftuar.

I kam borxh nënës një bisedë të fundit,
dhe një lamtumirë që nuk ia thashë dot.
I kam borxh babait një shtrëngim duarsh,
një “më fal” që më mbeti në buzë.

I kam borxh fëmijës ditët e mungesës,
duartrokitjen në diplomim dhe një përqafim,
fotografinë e parë në festën e shkollës,
këngën e ditëlindjes që ia këndoi heshtja ime.

I kam borxh:
detit një gur nga bregu i fëmijërisë,
malit një britmë të ndryshkur brenda.
një dere, një trokitje të ngrohtë,
vetes sime mëngjeset ku dielli
nuk kishte hekurat mes nesh.

Kur të iki,
nata do t’i numërojë një nga një,
si yje që nuk guxova t’i shikoja në sy,
dhe secili borxh i papaguar do të mbetet
si hije mbi shpirtin tim të përjetshëm.


Borxhet e shpirtit nuk i fal as koha, as vdekja.

✍️Autor Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut fizikisht.
Por i lirë në shpirt pafundësisht. 🦅🇦🇱