Nga Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Fjala që mbetet
Mbi heshtjen time, paqja u shtri lehtë,
kur syri yt më pa me dritë të sinqertë.
Malli u ngrit ngadalë, si erë pranvere,
dhe dashuritë tona morën ngjyrë të zjarrtë.
U përpoqa të ngrihesha, por fryma m’u ndal,
një çast i heshtur, ku zemrat gërshetoheshin pa fjalë.
Kësaj bote dua t’i mbjell një dashuri të heshtur ,
një dashuri që çel nga një buzëqeshje e pafaj,
dhe përhapet si dritë e lirë në çdo hapësirë.
Besën s’e thyej kurrë;
fjalën e mbaj si premtim të përjetshëm.
Fjala ime qëndron, nuk shkelet,
dhe njeriu që di të vlerësojë dashurinë e njeh dhe e mban.
Dhe në fund, dashuria triumfon mbi heshtjen,
flakë e përhershme që ndez çdo shpirt,
bashkon zemrat në një përqafim pa fund,
dhe çdo fjalë e mbajtur shndërrohet në jetë.

