Këndi poetik nga e shquara Kumrije Shala

DRITË PAS STUHISË

Kur ndihesh mirë, nuk ke nevojë për përkrahje, as për praninë e askujt. Lumturia vetë i thyen të gjitha barrierat, edhe kur je i vetëm. Ata që të duan, të duan gjithmonë: kur je i varfër apo i sëmurë, kur je i lumtur apo i pasur.

Njeriu me sedër e mban premtimin, dhe nuk e ndal dot as stuhia, as furtuna, deshe apo nuk deshe ti. Dashuria e vërtetë, ajo që buron nga shpirti, nuk ndikohet nga kushtet ekonomike, materiale apo shëndetësore. Ai që të do me zemër, është pranë teje në çdo kohë: me një fjalë, me një bisedë, me një mesazh.

Nëse dikush nuk interesohet për ty kur je i sëmurë, kur ke halle e vështirësi, mos prit prej tij asgjë në të ardhmen. Interesxhinjtë, sapo ta arrijnë qëllimin, largohen. Të shikojnë nga larg, me shpresën se ti je zhdukur në heshtje, pa zë.

Zoti nuk i pranon lutjet e shëmtuara kundër njerëzve të mirë. Ai dëgjon vetëm lutjet e sinqerta për ata që kanë shpirt të dlirë dhe që nuk ia duan të keqen askujt. Mos shpresoni e mos lutuni për gjëra të liga, sepse tek Zoti nuk ka ndërhyrje të kota. Ai ta dhuron shpirtin dhe ta merr kur të dojë.

Mos u mundoni më tepër sesa duhet. Se pas shiut del dielli, si çdo ngritje që ka ulje, si çdo pranverë që sjell lule, ashtu është jeta.

Nga: K.A.Shala