Vështrim nga znj.Dalinë Arifi

Ushtarët e Kosovës luftojnë për mbijetesë, ndërsa pushtetarët për karrige

Nuk ka pamje më të dhimbshme sesa të shohësh një ushtar të Kosovës, i cili i shërben shtetit me uniformë, por pas përfundimit të orarit zyrtar detyrohet të kërkojë një punë të dytë për të mbajtur familjen. Ky është një realitet që duhet të shqetësojë çdo institucion dhe çdo qytetar të Kosovës.

Pamjet e fundit të një ushtari të vetëplagosur gjatë një aktiviteti ushtarak rikthyen vëmendjen te Forca e Sigurisë së Kosovës. Natyrisht, gjatë trajnimeve dhe ushtrimeve ushtarake mund të ndodhin incidente, por përtej këtij rasti ekziston një problem tjetër, për të cilin flitet shumë më pak: mirëqenia ekonomike e ushtarëve tanë.

A është normale që një pjesëtar i FSK-së, pas tetë orësh shërbim në uniformë, të punojë si kamerier, taksist apo në ndonjë profesion tjetër vetëm për të siguruar të ardhurat e nevojshme për familjen? A është normale që ushtarët të përballen edhe me shpenzime për pajisje personale, madje të ngrihen shqetësime se disa prej tyre duhet t’i blejnë vetë edhe çizmet ushtarake?

Nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që kërkon përgjigje urgjente nga institucionet.

Në ushtritë e vendeve të tjera ekzistojnë rregulla për punësimin dytësor të ushtarëve, por kjo nuk duhet të përdoret si arsyetim për të lënë pas dore pagat dhe kushtet e shërbimit. Një ushtar duhet të ketë mundësi ta sigurojë jetesën e familjes së tij përmes punës që kryen në shërbim të shtetit.

Është paradoksale që në një kohë kur politika është e përqendruar në garën për postet e kryeministrit dhe presidentit, çështjet që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe dinjitetin e ushtarëve të mos jenë në qendër të debatit publik.

Përfaqësuesit e institucioneve duhet ta kuptojnë se ushtria nuk është vetëm një institucion që shfaqet në parada, në fotografi zyrtare apo në ceremoni shtetërore. Ushtria përbëhet nga njerëz, nga prindër, bashkëshortë dhe fëmijë, të cilët kanë nevoja dhe përgjegjësi familjare si çdo qytetar tjetër.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duhet të japë përgjigje për këto shqetësime. A janë pagat e pjesëtarëve të FSK-së të mjaftueshme për një jetë dinjitoze? A u sigurohen të gjitha pajisjet e nevojshme? Si trajtohen orët shtesë dhe çfarë mbrojtjeje shëndetësore kanë ushtarët?

Këto nuk janë kërkesa për privilegje. Janë kërkesa për dinjitet dhe respekt ndaj njerëzve që kanë zgjedhur t’i shërbejnë vendit.

Një shtet që kërkon nga ushtarët e tij përkushtim, disiplinë dhe gatishmëri për të rrezikuar jetën, duhet t’u garantojë atyre edhe siguri ekonomike dhe kushte të përshtatshme pune.

Nuk mund të ndërtohet një ushtri e fortë duke pasur ushtarë që shqetësimin kryesor nuk e kanë vetëm detyrën dhe sigurinë e vendit, por edhe faturat mujore, shpenzimet e familjes dhe mënyrën se si do ta përballojnë muajin.

Pushtetarët mund të ndërrojnë poste dhe të luftojnë për karrige, por ushtarët mbeten ata që mbajnë uniformën dhe përgjegjësinë për sigurinë e vendit.

Kosova duhet të kujdeset për ushtarët e saj jo vetëm kur ka nevojë për ta, por çdo ditë.

Sepse një ushtar që mbron shtetin meriton që shteti ta mbrojë dinjitetin dhe mirëqenien e tij.

Dinjiteti i ushtrisë fillon me dinjitetin e ushtarit!