Shtëpi e vjetër nga Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Shtëpi e vjetër
Mbi çatinë e saj u ngjita një ditë,
Përkëdhela tjegullat e ngrëna nga erërat dhe koha,
Si dikur flokët e zbardhur të babait.
Dhomave u kish rënë suvaja
Si shamia e bardhë e nënës
Në qindra copa e grisur.
Edhe gurët në mure kishin lëvizur,
Sikur kishin hyrë në tjetër kohë arkeologjike.
Vetëm oxhaku,
Oxhaku i nxirë nga bloza
Qëndronte drejt –
Dëshmitar i një kohe që s’vjen më!
Vetëm mëllagat,
Lulebora e barbarozat
Kishin marrë arratinë mureve
Deri në çati,
Sikur kërkonin të ruanin ç’kishte mbetur.
Në portën e rrëgjuar
Sërish i dallova dy vrimat e dikurshme
Si dy sy
Ku unë shihja fshehurazi
Se kush po trokiste!
Kështu krijohen dhe muranat,
Një pirg gurësh,
Mbi rrënjët që toka do t’i lartësojë sërish
Si një djep kujtimesh!