Makfire Shala – shtëpia në zemër
SHTËPIA NË ZEMËR
Nga libri “Kohë pa shpirtë”
Autore: Makfire Shala
Të parët tanë na mësonin një urtësi të rrallë:
Ndërtoni shtëpi në zemrat e njerëzve,
sepse ajo nuk rrënohet kurrë.
Sot…
ngrihen pallate që prekin qiellin,
por zemrat janë bërë copa –
të vogla, të ftohta, pa derë për askënd.
Muret janë të larta,
por shpirtrat janë të ulët.
Dritaret hapen kah bota,
por mbyllen për njeriun pranë.
Dikur një derë hapej për mikun,
sot mbyllet edhe për vëllanë.
Dikur buka ndahej në copa të vogla,
sot zemra nuk ndahet fare.
Çfarë na vlejnë kulmet e arta,
kur nën to mungon ngrohtësia?
Çfarë na vlejnë dhomat e mëdha,
kur zemra s’ka vend për një tjetër?
Të parët ndërtuan me dashuri,
ne ndërtojmë me gur dhe krenari boshe.
Ata lanë gjurmë në zemra,
ne lëmë hije në beton.
Dhe një ditë…
kur pallatet të mbeten veç gurë të ftohtë,
vetëm një shtëpi do të mbijetojë:
ajo që e ndërtove në zemrën e dikujt.
Me respekt e dashuri,
© Makfire Shala
Stadt Luzern

