Dritero Agolli për servilizmin…
Sërish në lidhje me servilizmin politik …
-Për servilizmin politik të shkrimtarëve në kohën e Zogut , Musolinit dhe Hitlerit ne tani nuk shkruajmë , heshtim dhe nuk e quajmë servilizëm politik. Madje e quajmë gjë të mirë dhe pozitive , pasi këta na qënkeshin antikomunistë të tërbuar , paçka se janë përqafuar me Musolinin dhe Hitlerin. Hitleri dhe Musolini ishin super-antikomunistë , atëherë çfarë presim, përse nuk i dekorojmë me dekoratën “ Pishtarë të demokracisë?”Por ka dy lloj pishtarësh :pishtarë që ndritin rrugën dhe pishtarë që i vënë zjarrin rrugës!
Në pluralizëm demokratik, kur, megjithatë ekziston e drejta dhe liria e fjalës dhe në burg nuk të fusin, shkrimtarit nuk i lejohet servilizmi . Por ne kemi pasur shkrimtarë që e kanë ruajtur dinjitetin dhe bindjen e tyre edhe në kohëra të vështira , përveç rilindasve , siç janë Ndre Mjeda, Fan.S . Noli , Migjeni, Skënder Luarasi , Kasëm Trebeshina e të tjerë. Veçanërisht ndër ata shquhet i papërkuluri Skënder Luarasi , që nuk pajtohet, me asnjë padrejtësi shoqërore dhe me asnjë shtrembërim të historisë që në kohën e Zogut e derisa vdiq, duke e thënë me guxim qytetar të vërtetën , madje duke e pohuar me zë të lartë pasionant. Kur Haxhi Qamilin dhe lëvizjen fshatare të tij e mburrnin dhe e quanin si një kryengritje përparimtare, Skēnder Luarasi ishte i vetmi që e kundërshtoi me gjuhën e fakteve historike dhe mendimin e thellë prej dijetari , se kjo lëvizje ishte regresive dhe Haxhi Qamili ishte një anakronik në shërbim të Sulltanit të penduar. U kritikua rëndë nga Enver Hoxha, por ai nuk u lëkund nga mendimet e tij. Ai nuk ishte nga ata që bëjnë deklarata dhe mohojnë pikëpamjet e veta, duke bërë autokritikë dhe duke nëmur veten. Ishte një socialist i vërtetë demokrat. Kur vdiq dhe shkoi prof. Aleks Buda, kryetari i Akademisë , para trupit të tij, e vështroi gjatë dhe tha: “ Këtij vetëm vdekja mund t’ia mbyllte gojën”.
Dritëro Agolli