Opinion nga Kumrie (Avdyl)Shala
DY RRYMA TË NDRYSHME:
TË DEHURIT DHE MËSUESIT NË POLITIKË
Shoqëria jonë shpesh ndodhet përballë dy fenomene të dukshme, por të pashoqëruara shpesh me reflektim të thellë: ndikimi i të qenit i dehur në gjykimin dhe përgjegjësinë personale dhe roli i mësuesit në shoqëri në raport me angazhimin politik. Të parin e quajmë një gjendje shpirtërore e çrregullt, që nxjerr në sipërfaqe të vërteta të mbuluara nga frika apo turpi. Të dytin, një mision fisnik që kërkon përkushtim të plotë dhe një ndarje të pastër nga bota e interesave politike. Kjo temë nuk është vetëm për të debatuar dënimin dhe moralin, por për të kuptuar thellë natyrën njerëzore dhe përgjegjësinë qytetare.
- Kur njeriu flet nën efektin e dehjes
Ka një thënie popullore që thotë: “E vërteta del nga vera.” Njeriu i dehur mund të qeshë pa arsye, të qajë me shpirt, të përqafojë me ngrohtësi, apo të bëhet agresiv. Por mbi të gjitha, ai shpesh shpreh brengat që i ka mbajtur të fshehura. Dashuri të pathëna, mllef të grumbulluar, plane të mëdha apo zhgënjime të thella, gjithçka del në pah.
Pikërisht kjo gjendje e bën të dehurin një “gjysmë njeri” përpara ligjit. Gjykatat shpesh e përgjysmojnë ndëshkimin për shkak të humbjes së vetëdijes. Por a është kjo drejtësi e mirëfilltë? A nuk është një veprim që ndodh në gjendje dehjeje, sërish një veprim i zgjedhur, qoftë edhe në mënyrë të papërgjegjshme? - E vërteta e dhimbshme: a duhet falur i dehuri?
Të nesërmen, shumë prej tyre kujtojnë çdo detaj dhe ndjejnë pendesë. Kjo pendesë nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të fshirë pasojat e veprimit të tyre. Prandaj, lind pyetja: A duhet të lirohet dikush nga përgjegjësia vetëm sepse ka qenë i dehur? Nëse 90% e të dehurve e dinë çfarë kanë bërë, pse të mos mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre? - Mësuesi dhe politika, dy botë paralele
Një mendim interesant, dikur i shprehur nga ish Kryetari i Shqipërisë, Enver Hoxha: “Nuk pranoj mësues në politikë, sepse kanë mendjen e fëmijës.” Kjo thënie, ndonëse e diskutueshme, nxit një reflektim të thellë. Mësuesi jeton në botën e fëmijëve, flet me ta, edukon karakterin e tyre dhe përdor metoda të buta për të ndërtuar një njeri të mirë. Politika, përkundrazi, është fushë e interesave, e retorikës së fortë dhe e vendimeve me pasoja të mëdha. A janë këto dy misione të përputhshme? - Arsyeja pse mësuesi duhet të qëndrojë jashtë politikës
Mësuesi, në misionin e tij të shenjtë, përkushtohet ndaj një brezi që nuk e ka lindur vetë, por e rrit me dashuri dhe përkushtim. Arrin të fitojë besimin dhe respektin e fëmijës më shumë se vetë prindi, dhe ky është kulmi i arritjes së tij profesionale dhe njerëzore. Të marrësh një figurë të tillë dhe ta zhvendosësh në një realitet ku sundon konfrontimi politik, është si të çosh një zog nate në diellin përvëlues të politikës ditore e që nuk është vendi i tij. - Dy përgjegjësi të mëdha që kërkojnë ndarje
Nëse i dehuri duhet të trajtohet me më shumë ndëshkim, jo më pak, atëherë kjo kërkon drejtësi reale, dhe nëse mësuesi duhet të qëndrojë larg politikës, atëherë kjo është për të ruajtur pastërtinë e profesionit të tij, jo për ta nënvlerësuar. Nuk janë dy rryma që duhet të luftojnë me njëra-tjetrën, janë dy botë që kërkojnë të kuptohen dhe të respektohen siç janë.
-Gjendja e dehjes është shpesh një pasqyrë e dhimbjes së mbuluar. Por ajo nuk duhet të jetë strehë për të shmangur përgjegjësinë. Mësuesi është zemra që rreh për fëmijët, dhe kjo zemër nuk duhet të ndotet me interesat e politikës. Dy rrugë të ndryshme, por të rëndësishme, e që secila kërkon përkushtim të plotë, ndershmëri dhe përgjegjësi.
Nga :prof. Gazetare Kumrie Avdyl Shala