Një perlë poetike nga shkrimtarja e shquar Eva Tafa

🐞 9.06.2025🐞
Ti je këngë që askush nuk e këndon
Siç e ndjej unë.
Një melodi e paprekshme,
Që s’ka nevojë për fjalë,
Sepse çdo tingull i saj
Më shqyen butësisht,
Më shpon si kujtim i pathënë.
Dashuria jonë s’kishte udhë,
As premtime,
As kthim mbrapa.
Ishte si ato këngët e vjetra
Që digjen ngadalë në gramafonë,
Me tekst që ngulitet në lëkurë,
Me muzikë që të thyen
Pa pasur nevojë të bërtasë.
E rrallë,
E artë,
E heshtur,
E përjetshme.
Sot dua të të kujtoj
Me fjalët që nuk guxova t’i them kurrë,
Me ndjenjën që nuk mbajti dot emër,
Por që u ngulit në çdo frymëmarrje.
Dashuria jonë mbeti
Ndjenjë që të thyen në heshtje,
E pazëvendësueshme.
Spartan, ndriçove një pjesë të jetës sime
Me dritën e hënës dhe të syve
Më bëre të luftoj me veten
E të kuptoj se ka ndjenja
Që nuk kërkojnë
As kohë,
As vend ,
Vetëm shpirt.
Zemra ime ende rreh më ndryshe,
Kur dëgjon zërin tënd në kujtime,
Kur ndonjë hije e ngjashme të më shfaqet,
Apo kur një ditë si kjo më thërret
Të kujtoj se ti je ende këtu,
Si një shenjë e pashlyeshme dashurie.
Unë jam flakë,
E heshtur,
E fshehtë,
E pamëshirshme,
Djeg për të kujtuar,
Djeg për të harruar,
Djeg për ty.
E megjithatë më quajte cukël
Si një copë e vogël qëndisur,
E arnuar me kujdes mbi xhaketën tënde
E më merr me vete kudo,
Si një kujtim që nuk hiqet kurrë.
E gjitha çfarë dua, është
Ato shenjat më të çmendura të dashurisë
Që ka njohur ky shpirt
Nën sy
Mbi vetull
Anës hundës
Poshtë buzës
Nëpër faqe
Janë lutja ime pa zë,
Janë fati im që s’e preka dot,
Janë dëshira që më mbijetoi,
Janë plagët deri në asgjesim,
Janë lutja dhe bekimi.
Spartan, një gjë fort mirë edi
Po të ishim sërish në të njëjtin vend
Do të dashurohesha prapë,
Pa logjikë,
Pa masë,
Pa kthim,
Do të ndizeshim dhe digjeshim si shkëndijë,
Do të të duheshim aq fort,
Tmerrsisht aq fort,
Derisa trupat të bëhen lot pasioni.
Dashuria që mbijetoi në çdo mavijosje ndjenje!