Bota ime nga Elmije Ajazi
Bota ime
Bota ime është e vogël ,
aq sa mund ta mbash në pëllëmbë,
por brenda saj fle një qiell që s’ka fund,
një det që s’e tremb asnjë stuhi,
dhe një dritë që s’ka emër,
veçse digjet e heshtur në thellësi.
Nuk ka pasuri, por ka frymë ,
frymën e një fëmije që beson ende te mrekullitë,
te një dorë që nuk lëshon,
te një premtim i dhënë zemrës,
jo me fjalë, por me përjetësi.
Ajo botë nuk kërkon të shihet,
se është shkruar me gjuhën e ndjenjës,
jo me simbole, jo me ligje ,
por me gjurmët e kujtimeve që s’harrohen kurrë,
me ëndrrat që mbijetojnë edhe kur njeriu vetë dorëzohet.
Dashuria aty s’është emër,
është frymë që ngroh pa zë,
është thirrja që dëgjon kur të gjithë heshtin,
është përqafimi që të mban edhe kur s’ka më asgjë për të thënë.
Dhe shpresa…
ah, shpresa nuk lind si dielli ,
ajo vjen e lodhur nga nata,
me flokë të çoroditur, me gjak në këpucë,
por ecën, ecën gjithmonë përpara,
sepse në këtë botë të vogël që s’e mat asnjë orë,
ajo është mbretëresha që nuk bie kurrë.
Regensburg, më 14 qershor 2025