E dashura Nënë nga Elmije Ajazi

E dashura Nënë,

Ah, po të mundesha…
Diellit do t’ia pikturoja sytë e tu,
që të më shihte çdo mëngjes si Ti – me dritë, me butësi, me jetë.

Po të mundesha…
fytyrën tënde do t’ia jepja hënës,
që të më qeshte çdo natë prej lart,
siç më ke qeshur Ti, edhe kur unë nuk e meritoja.

Po të mundesha, Nënë…
do të kthehesha fëmijë,
vetëm për një gjumë në prehërin tënd —
një gjumë pa halle, pa mure, pa mungesë…
veç unë dhe aroma jote.

Po të mundesha…
do ta ktheja kohën mbrapa,
të të përqafoja më fort,
të të thosha më shpesh sa shumë të dua,
të mos të lija asnjëherë të më ikje pa e ditur se je gjithçka.

Kanë kaluar ditë pa dritë për mua,
netë pa gjumë, pa paqe.
Kanë kaluar momente që s’kanë kuptim,
sepse mungesa jote i ka zbehur të gjitha.

Nuk ka ditë që kalon pa të menduar,
pa më kapluar një mall që më shkund shpirtin.
E ndjej mungesën tënde kudo…
në ajër, në heshtje, në çdo vend ku dikur ishe Ti.

Unë jam si ai jetimi që s’di veç me u kujtu,
me u përmallu,
me e mbajtë një vend bosh në zemër që s’e mbush askush.

Të kujtoj me mall, Nënë…
jo vetëm sonte,
por çdo natë, çdo ditë,
derisa të vij dhe unë aty ku je Ti —
që të prehem pranë teje,
e të mos kem më mall.

Më mungon pa fund, Nënë.

Regensburg, me 25 maj 2025