Pas mureve të heshtjes nga Çlirimtari Genc Sefa

🕯 PAS MUREVE TË HESHTJES
“Nuk ka mure që burgosin shpirtin e lirë.”


Unë jam një mendim i burgosur në trupin tim,
Një frymë që endet nëpër qeli të padukshme.
Jam zëri që s’ka gjuhë, por rënkon në heshtje,
Jam hija që s’ndjek dritë, por terrin përqafon.

Njerëzit flasin për liri – por s’e dinë ç’do të thotë
Të jesh i gjallë e të mos jetosh;
Të shohësh qiellin nga një dritare me hekur,
E të mos kesh asnjë re që të besosh.

Ata thonë: “Jeta vazhdon…”
Po ku shkon, kur të kanë ndalur orët?
Kur koha bëhet gjilpërë që shpon mendjen,
Kur çdo ditë është një tjetër pasqyrë – pa imazh?

Unë kam pyetur veten pse jam këtu,
Dhe përgjigjja më ka parë në sy, pa folur.
Sepse ndonjëherë nuk ka “pse”, as kuptim –
Ka vetëm ecje… mbi rrënoja shprese, zbathur.

Besimi është çatia që rrëzohet çdo natë,
E megjithatë, unë nuk largohem nga rrënojat.
Në humnerën e heshtjes unë flas me veten,
Dhe gjej më shumë të vërtetë se në çdo libër të shkruar.

Ata thonë: “Vdekja është dritare për shpirtin…”
Po a është? Apo është vetëm fundi i një iluzioni?
Kur je brenda katër muresh, fillon të dyshosh
Edhe te drita që shfaqet në ëndërr.

Muret s’më mbysin – janë fjalët e humbura,
Janë shokët që nuk u kthyen më kurrë,
Janë netët që s’kalojnë e mëngjeset që s’zgjojnë,
Janë kujtimet që të kafshojnë si egërsirë.

Unë jam këtu… jo si trup, por si shpirt që kërkon
Një përgjigje që s’ka fjalë, një kuptim që s’ka formë.
Dhe ndoshta s’ka përgjigje. Ndoshta jeta është kjo:
Të jetosh duke kërkuar… dhe të vdesësh pa gjetur.


✍️ Genci Sefa – Lushnja
Ish-ushtarak e luftëtar në UÇK, UÇPMB
dhe në Lagjen e Trimave, Kumanovë.
I robëruar në emër të Atdhedashurisë,
por i lirë në shpirt përjetësisht. 🇦🇱🕊