Ditëmadhja ime -Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
DITËMADHJA IME
Nëntori tashmë ka ardhur. Ashtu siç ka ardhur mijëra herë ndër vite. Edhe ndër shekuj. Si një Marathonomak, që niset në rrugën e gjatë, që dihat e dënesë, por vrapin s’ e ndalon dhe vjen në cak për të sjellë sihariqin: Fituam! PO. Ndaj edhe ti kur vjen , mu sikur ai, na sjell fjalëbukurën e fitores. E ajo ka emrin e bukur: Liri. Edhe fjalëëmblën: Pavarësi. Për të bukurën dhe të përjetshmen Shqipëri. Kështu ka ndodhur qëkur ishe ti. Kështu po ndodh përsëri. Kur ti vjen , me ty vjen edhe kalorësi i madh Skënderbeu, mbështjellë me një pelerinë hipur mbi kalë dhe me një një flamur në dorë , në të cilin fluturon një shqiponjë dykrenare. Dhe rent e rent vijnë atë ditë të njëzetetetës kalorësi me flamurin që valëvit. Kalorësi që kalëron dhe flamuri që valon. Që ne e presim me dashuri, me ëmbëlsi, me trimëri. Se na sjell paqe, liri dhe dashuri. Që na e heq blozën e zezë shekullore dhe na sjell bardhësi. Dhe që pastaj ec e ec ka ardhur ashtu trimërisht pa u trembur më 1912 përsëri. Sikur na tha: Mos më keni pandehur të humbur! Ja, unë vij përsëri. Vij, se ju më mëkoni me dashuri. Ëmbëlsisht dhe trimërisht. Si dita vetë, që erdhi nëpër furtuna, por erdhi. Gdhiu e bardhë. Se duhej të vinte sikur Uliksi , se e priste Penelopa. Edhe ne të prisnim. Të priste populli, që nuk bënte gjumë. Populli që ecte sërish nëpër furtunë në rrugën e gjatë plot mundim dhe trishtim. Nëpër baltë, nëpër djersë, nëpër gjak. Por plot me shpresë, që vjen me patjetër, sa nuk pranon të vdesë. Vendimet e Fuqive të mëdha të coptuan padrejtësisht Shqipëri mes fqinjëve më 1913, por këto plagë shpresojmë ti mbyllim e ti shërojmë plotësisht Nënëmadhja jonë.
Ti Ditëkuqja ime po vjen përsëri dhe ne kemi hapur krahët, siç hapë nëna krahët e saj ta marrë djalin e saj në gji. Ta përqafojë e ta mëkojë. T’ ia përkëdhel ballin. Ti Ditë e Madhe, që vjen çdo fundnëntor. Dhe e di si? Si dhëndër me kurorë!-do të thoshte poeti. Që na sjell gëzim, sepse edhe të presim me mallëngjim. Si një dritë e bardhë që vjen tej larg në horizont dhe shfaqet te ne plot rrezatim e ndriçim. Edhe me besë e me shpresë. Për jetë në liri, për jetë në Shqipëri. Po edhe më shumë. Për jetë në Dardani. Kudo ka njerëz me plisa të bardhë, si bardhësia jote vetë. Ty që vjen me njëzet e tetë nëntor, që na përqafon me mallëngjim, që na jep forcën e tokës, si Anteut. Vijnë me ty në kolona të gjata kalorësish, që dalin përpara nesh dhe parakalojnë duke ne përmendur se ne jemi këtu përsëri. Ne që bëmë histori. Që bëmë histori në Krujë, në Vlorë, në Prekaz, në Prishtinë, në Tetovë. Që kanë edhe emër, edhe gjak, edhe ADN-në tonë. Dhe që na lanë trashëgim: një Atdhe, një Komb DARDANI, SHQIPËRI. Ndonëse sot i copëtuar, por që prapë copat e tij ende kanë gjak dhe jetojnë, ende kanë frymë dhe frymojnë. Ende i mban gjallë fryma e lirisë dhe e kërkojnë. Ti ditë e bukur me njëzet e tetë, ardhsh e bardhë si bardhësia vetë.

