Mos u vono nga Ornela Agastra Mulla
MOS U VONO !
( nga Ornela Agastra Mulla )
Në ardhtë vjeshtë sërish n’ qytet,
Ti eja si gjethe, si fllad jugu,
si bulëza shiu mbi asfalt,
si pluhur hëne , nën mantel futu !
Në rëntë natë, si bie një degë,
tek thyhet egër nën veri,
si murmurimë a një ofshamë
bashkë me erën eja dhe ti !
Në para kohe ardhtë acari ,
Nga retë të shkundë breshër-argjend,
ti eja struku tek strehë e vjetër,
në rrugë të lagësht mos u end!
E kur të vish, ti ardhsh e bardhë !
Spërkatur yjesh si perrí ;
ta kam lënë çelsin avllisë së vjetër :
“-Mos u vono, paç Perëndi ! “…
(Ornela )

