Shkrim nga Bruna Gosa
Vatra e dijes dhe e festës
SH.F.M.U “Ali Kelmendi” në Prishtinë feston Ditën e Shkollës
Atmosferë festive, emocione dhe shkëlqim talentesh kanë mbushur ambjentin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ali Kelmendi” në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës së Shkollës.
Kjo ngjarje e rëndësishme ka bashkuar në një festë të vetme nxënës, mësimdhënës, prindër dhe dashamirë të arsimit, për të kremtuar traditën, dijen dhe përkushtimin ndërbrezor.
Ceremonia u hap me fjalët e mirëseardhjes nga prezantuesit, të cilët vunë theksin te roli i pazëvendësueshëm i shkollës si vatër e dijes, formimit të nxënësve dhe ruajtjes së vlerave kulturore në komunitet.
Në fjalën e saj të rastit, drejtoresha e shkollës Bedrije Pireva Shala përshëndeti të pranishmit, duke ndarë mesazhe frymëzuese për arritjet e gjeneratave të reja dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shkollës dhe familjes.
Pjesa qendrore e manifestimit u pasurua me një program të larmishëm artistik, të përgatitur me dashuri nga nxënësit nën kujdesin e mësimdhënësve të tyre. Skena u gjallërua nga performanca të ndryshme, duke filluar nga recitimet e ëmbla të fëmijëve të klasave parafillore e deri te interpretimet skenike dhe dramatizimet e nxënësve të shkollës së mesme të ulët.
Nuk munguan as performancat muzikore dhe vallet tradicionale popullore, të cilat sollën ngjyrat e trashëgimisë kulturore kombëtare, duke u duartrokitur fuqishëm nga të pranishmit. Interpretimet e poezive për shkollën, atdheun dhe dijen reflektuan talentin e spikatur të nxënësve dhe dëshmuan se puna e palodhur e mësimdhënësve po jep frytet e duhura.
Festa u përmbyll me mesazhe urimi dhe falënderimi për të gjithë kontribuesit, duke lënë pas kujtime të bukura dhe një zotim të përbashkët se SH.F.M.U “Ali Kelmendi” do të vazhdojë të mbetet shtyllë e fortë e edukimit dhe e suksesit për të gjithë brezat e ardhshëm.
Gëzuar Ditën e Shkollës!

