Nga poetja e çmuar Nerxhivane Sejdiu -Ferati

Njeri pa rrënjë, shpirt pa dritë!

Ti që s’beson në fe, as në Zot, Ti që s’e ndien atdheun, as gurin e kësaj toke, që s’e njeh betimin, as fjalën e dhënë, më thuaj, çfarë të ka mbetur në zemër, kur çdo gjë të shenjtë e ke mohuar e lënë?

Ti s’beson në flamur, as në histori, as në gjakun e derdhur për liri, as në dheun që mban eshtrat e të parëve, as në lotët e nënave, as në amanetet e baballarëve.

S’beson në diell që lind përmbi male, as në borën e bardhë që mbulon varre, as në shiun që bie mbi tokën e etur, as në qiellin që dëgjon edhe dhimbjen e heshtur.

S’beson në ujë, as në kripë, as në bukë, në sofrën ku njeriu nderon mikun e vet, ku buka ndahet edhe kur shtëpia është e varfër, ku fjala e dhënë vlen më shumë se një jetë.

S’beson në njeri, as në dorën që të shtrihet, as në shpirtin që fal, as në zemrën që thyhet, s’beson në dashuri, as në lotin e saj, por më thuaj, o njeri, çfarë beson ti?

Se feja mund të jetë e ndryshme, e kombi mund të ketë veq nji emër, njerëzia nuk duhet të ketë kufij, dhe dinjiteti nuk shitet për interesa.

Nuk të kërkoj të lutesh si unë, as të duash atë që unë e dua, por mos shkel atë që për tjetrin është e shenjtë, mos e moho rrënjën që e mban gjallë një botë.

Se njeriu pa atdhe në zemër nuk mund të jetojë, pa flamur mbi supe mund të ecë në jetë, por ai që s’ka respekt për askënd, rrezikon të humbasë njeriun brenda vetes së vet.

Mund ta mohosh qiellin, mund ta mohosh Zotin, mund ta mohosh flamurin e ngjyrat e tij, por s’mund ta mohosh dhimbjen e një nëne, as lotin e një fëmije, as vlerën e një njeriu.

Dhe kur të vijë dita që gjithçka të heshtë, kur pasuria, lavdia e emri të mos kenë vlerë, kur të mos të pyesë askush çfarë pate, por çfarë i dhe kësaj bote me zemër…

Atëherë do ta kuptosh, ndoshta shumë vonë, se njeriu nuk bëhet i madh duke mohuar gjithçka, por duke ruajtur diçka të shenjtë brenda vetes:Atdheun , dinjitetin ndershmërin dhe njerëzin.

Unë mund të mos kem asgjë në këtë jetë, por kam rrënjë, kam kujtesë, kam fjalën e dhënë. Kam bukën që ndaj, kam tokën që nderoj, kam atdheun tim njerëzit që dua dhe dhimbjen që kuptoj!!

Gjenevë 13.10.2026
Nerxhivane Sejdiu Ferati !