Lideri Ali Ahmeti uron vitin e ri shkollor

Të dashur nxënës,
Të nderuar mësimdhënës,
Të respektuar prindër,

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, më lejoni t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta. Kjo ditë e veçantë shënon një fillim të ri në udhëtimin tuaj drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të ndritur.

Një urim të veçantë dua t’ua drejtoj mësimdhënësve dhe prindërve, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe vlera njerëzore udhëheqin e mbështesin çdo hap të nxënësve në këtë rrugëtim.

Shkolla shqipe, pavarësisht sfidave të së kaluarës, është ruajtur dhe është zhvilluar falë kontributit të madh të mësimdhënësve. Ju ishit dhe mbeteni shtylla kryesore e dijes dhe edukimit, prandaj mirënjohja jonë për ju do të jetë e përjetshme.

Organizata jonë do të vazhdojë të punojë për një arsim cilësor dhe bashkëkohor për çdo fëmijë.

Me dëshirën që suksesi dhe shëndeti t’ju shoqërojnë gjithmonë, uroj veçanërisht nxënësit që për herë të parë këtë vit nisin rrugën e dijes. Qofshi gjithmonë të lumtur dhe të përkushtuar në këtë udhëtim të bukur!