Opinion me peshë nga veprimtari mërgimtar z.Veton Binakaj
Është e drejtë të kemi mendime të ndryshme për zhvillimin lokal dhe për mënyrën se si ai matet, por është po aq e rëndësishme që të flasim me fakte dhe në mënyrë të drejtpeshuar.
Nuk jemi më në kohën e komunizmit, kur zhvillimi vendosej në zyrat e shtetit dhe populli priste e duartrokiste. Sot, hapi i parë i çdo zhvillimi është ndërtimi i infrastrukturës themelore – rrugë, energji, qasje, lidhje. Si dikush që jeton dhe punon në SHBA, ta them me bindje: aty ku ka infrastrukturë të zhvilluar, krijohen kushte reale për investime, për biznes, për jetë më të mirë.
Për sa i përket punësimeve në administratë – po, në Amerikë dhe në çdo demokraci funksionale, partia që fiton zgjedhjet vendos njerëzit e saj për të zbatuar programin që ka marrë besimin e qytetarëve. Kjo nuk është përjashtim, por rregull.
Në lidhje me çështjet që përmenden nga opozita në Deçan – ujin, kanalizimet, pasurinë publike – asnjëra prej tyre nuk është e parëndësishme. Por, për çdo hap zhvillimi kërkohen mjete financiare. Buxheti është i kufizuar dhe i varur nga ndarja qendrore, prandaj çdo kryetar komune, përfshirë edhe z. Bashkim Ramosaj, detyrohet të vendosë prioritete. Dhe ky prioritet – infrastruktura rrugore dhe investimet e prekshme – kanë qenë, në vlerësimin tim, më të qëlluara dhe më me ndikim për Deçanin.
Për më tepër, ndërsa nga subjektet e tjera politike kemi dëgjuar kryesisht deklarata dhe premtime pa mbulesë, z. Ramosaj ka dalë para qytetarëve me projekte konkrete, të planifikuara, me fizibilitet dhe me synim afatgjatë për zhvillimin e komunës. Nuk i kemi parë këto lloj projekt-ide nga të tjerët partitë opozitare ne Deçan ,të paktën jo në nivelin e nevojshëm për të pasur ndikim real.
E kam thënë dhe e them: përkrah këdo që sjell plane konkrete, të matshme dhe të realizueshme për qytetarët. Le t’i nxjerrin të gjithë në dritë projektet, analizat teknike dhe financiare – do të isha ndër të parët që do t’i mbështesja, bashkë dhe me çdo qytetar të ndershëm të Deçanit. Por deri tani, e vetmja administratë që ka prodhuar vepra konkrete është ajo e udhëhequr nga Kryetari Bashkim Ramosaj.
Siç thotë fjala e urtë: “Orizi nuk zihet me fjalë,” – dhe unë besoj se për Deçanin duhen më pak fjalë e më shumë punë konkrete!
Deçan #Zhvillim #BuxhetiRi #Vazhdimësi #BashkimRamosaj #Zgjedhje2025 #PunëKonkrete #Investime