Kryeministri Kurti me një konferencë ndërkombëtare

Raporti i SIGMA/OECD që rendit Kosovën në vitin 2024 më mirë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor në të gjitha gjashtë fushat në të cilat bëhen matjet; veçanërisht kur e krahasojmë me vitin 2021 kur Kosova ishte më keq se mesatarja e Ballkanit në pesë prej gjashtë fushave është i dukshëm progresi i bërë, dhe raportet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilat e kanë larguar Kosovën nga lista e shteteve me institucione të brishta, janë disa prej dëshmive të shumta që Republika jonë është një rrëfim suksesi i përpjekjeve kombëtare, por edhe i ndihmës ndërkombëtare. E në vendin tonë edhe këtë vit po mbahet Konferenca Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025, që organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, me pjesëmarrës ndërkombëtarë nga gjithsej 24 shtete të huaja.

Fjala ime e plotë:

I nderuar z. Bardhyl Dobra, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme,
Përfaqësues e drejtues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Të nderuar pjesëmarrës nga shumë vende të botës dhe nga Kosova,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Fillimisht pjesëmarrësve nga jashtë Kosovës ju uroj mirëseardhje në Republikën tonë. Dje, për arsye të agjendës unë nuk mund të isha në hapje të Konferencës KosovaPAR2025, e cila sikurse është premtuar në vitin 2023, është shndërruar tashmë në konferencë vjetore që mbledh pjesëmarrës eminent nga Kosova, rajoni, kontinenti evropian dhe e gjithë bota.

Jam shumë i lumtur që sot po e bëjmë hapjen e ditës së dytë të diskutimeve, për më tepër që tematika e cila do diskutohet pikërisht tani ka një rëndësi të veçantë për Kosovën: qeverisja institucionale, gjetja e një baraspeshe në mes të pavarësisë, bashkëpunimit dhe llogaridhënies.

Koncepti i ndarjes së pushteteve qysh nga Montesquieu e këtej ka ndryshuar shumë nëpër shtete të ndryshme e nëpër epoka po ashtu të ndryshme. Pra ka evoluar me kohën. Mund të themi që madje ka marr një dimension tjetër sidomos me krijimin e agjencive dhe trupave të pavarura. Sistemi i qeverisjes në vitin tonë 2025 është shumë më ndryshe dhe shumë më kompleks nga ai i vitit 1945, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por madje shumë i ndryshëm edhe nga viti 1990, pas rënies së murit të Berlinit.

Kosova në këtë sens është bukur shumë një rast sui generis për vet faktin që ndërtimi i institucioneve të pas luftës, pas vitit 1999 është bërë nga një mision i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Gjatë këtyre 25 viteve, në Kosovë ka ndodhur një proces i shtetndërtimi, pra i veçantë, i pashembullt ndokund tjetër apo ndonjëherë tjetër. Raportet e fundit të organizatave si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, SIGMA, organizata Gallup, Transparency International, World Justice Project e të tjera dëshmojnë se Kosova është rast suksesi i shtetndërtimit pas një lufte të tmerrshme. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, Qeveria që udhëheq unë ka ndërmarr reforma të thella në të gjithë sektorët në mënyrë që ndryshimet pozitive të jenë edhe të qëndrueshme në kohë për të ardhmen, por edhe të pakthyeshme, pra që të pamundësojmë hapat prapa.

Meqë konferenca ka të bëjë me administratë publike dhe institucione, vlen të përmenden më në detaje tri raporte: raporti i SIGMA/OECD i cili rendit Kosovën në vitin 2024 më mirë se mesatarja e Ballkanit perëndimor në të gjitha gjashtë fushat në të cilat bëhen matjet; veçanërisht kur e krahasojmë me vitin 2021 kur Kosova ishte më keq se mesatarja e Ballkanit në pesë prej gjashtë fushave është i dukshëm progresi i bërë.

Tutje, në vitin 2025, për herë të parë nga paslufta, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë larguar Kosovën nga lista e shteteve me institucione të brishta, gjë që dëshmon se reformat tona në të gjithë sektorët po sjellin rezultate të prekshme e matshme, rezultate që po vlerësohen nga organizata prestigjioze ndërkombëtare. Këto tri vlerësime dhe shumë të tjera dëshmojnë që Republika e Kosovës është një rrëfim suksesi i përpjekjeve kombëtare, por edhe i ndihmës ndërkombëtare.

Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm që kemi ende shumë punë për të bërë. Në njërën anë jemi të përkushtuar që të vazhdojmë reformën me kapacitete njerëzore përbrenda administratës publike dhe digjitalizimin e shërbimeve dhe procedurave administrative. Andaj, edhe tema e konferencës është tejet relevante për kontekstin dhe synimet tona.

Në anën tjetër, gjatë shtetndërtimit tonë kanë ndodhur dy fenomene të cilat janë që janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Së pari, një proces i stër-agjencifikimit, pra i shtimit tej mase të agjencive, që ka sjellë krijimin e një numri të madh të trupave të ekzekutiv e të pavarura, shpeshherë të panevojshme. Së dyti, një numër i madh i këtyre agjencive ka fituar statusin e agjencive të pavarura, pa justifikim, e madje, shpeshherë këto agjenci me funksione ekzekutive janë vendosur nën legjislativin, që përsëri është problematike. Pra, kemi krijuar shumë agjenci, shumë prej tyre në emër të pavarësisë nuk kanë raportuar në vendin e duhur, nuk kanë dhënë llogari për punën dhe performancën e tyre; shumë prej tyre kanë mbetur jashtë çdo rregullimi adekuat në emër apo si pasojë, do të thosha unë, e keqinterpretimit të pavarësisë, herë me qëllim e herë nga mosdija apo mos ekzistenca e mekanizmave adekuat për t’u marr me këto çështje. Paradoksalisht, gjendja nuk është përmirësuar edhe si rrjedhojë e ndërhyrjeve për shembull të Gjykatës Kushtetuese te dy pushtetet tjera, legjislativi dhe ekzekutivi, në ligjbërje dhe politikbërje. Sa i përket agjencive kryesisht ekzekutive, ne veçse kemi filluar me programin tonë shtetëror, i cili do ta bëjë racionalizimi e agjencive, por është me rëndësi që të kemi debat, shumë debat, debat shterues, edhe për pjesën tjetër të agjencive, por edhe për vet tri pushtetet klasike ashtu siç na i ka ndarë nga hera Montesquieu.

Siç po shihet edhe kjo tryezë e rrumbullakët paska evoluar, sikurse edhe vet koncepti i qeverisjes, prej tavolinës së rrumbullakët në tavolinë të hapur edhe për audiencën. Ky është mesazhi më i rëndësishëm që edhe për vet institucionet që të jenë më të hapura, të dëgjojnë mendimet e ekspertëve dhe sidomos të jenë përherë bashkë me ta edhe në proces e sipër e jo vetëm në fillim të proceseve. Andaj, është me rëndësi të hapim bashkërisht këtë debat të rëndësishëm rreth pavarësisë së institucioneve dhe të gjejmë baraspeshën e duhur midis pavarësisë, bashkëpunimit dhe llogaridhënies, ashtu që institucionet të funksionojnë sa më mirë dhe jeta e qytetarëve të përmirësohet sa më shumë.

Unë me shumë kënaqësi pres të dëgjoj diskutimet dhe të nxjerrim bashkërisht mësime të vlefshme që të hapim këtë temë të rëndësishme edhe me institucionet e tjera të shtetit, por edhe me partnerët e aleatët e miqtë ndërkombëtarë, e sidomos në fushën e akademisë dhe të zyrtarëve publikë.

Ju dëshiroj punime të frytshme dhe qëndrim të këndshëm.