Nga Makfire Shala -Burgi i Xhelozisë

Burgu i Xhelozisë

Ka njerëz që jetën e tyre e harrojnë,
duke numëruar hapat që të tjerët bëjnë.
Në vend që ëndrrat e veta t’i ndërtojnë,
me helm xhelozie shpirtin e helmojnë.

U dhemb buzëqeshja që s’është e tyre,
u pengon suksesi në fytyrën e tjetrit,
nuk shohin plagët pas një fitoreje,
por digjen nga drita e një shpirti të vjetër.

Sa e varfër është një jetë pa qëllim,
kur lumturia e tjetrit të bëhet pikëllim!
Kur koha të ikën duke gjykuar,
e jeta jote mbetet pa u jetuar.

Ti që xhelozon, ndalu një çast,
jeta nuk është garë, as luftë për inat!
Ai që sot qëndron me kokën lart,
ndoshta dje ka qarë në heshtje, pa fat.

Mos ia numëro tjetrit bekimet,
se nuk ia njeh netët, as mundimet.
Mos ia lakmo dritën që sot i ndriçon,
se nuk e di në ç’errësirë ka mësuar të jetojë.

Xhelozia nuk ta ndërton shtëpinë,
nuk ta mbush zemrën, as ta sjell lumturinë.
Nuk ta shton vlerën, as dinjitetin,
veç ta vjedh kohën dhe ta shkatërron jetën.

Ndërsa ti merresh me jetën e huaj,
dikush lufton me dhimbjet e veta.
Ti kërkon gabime për ta rrëzuar,
ai ngrihet përsëri, edhe pse i plagosur nga jeta.

Mos harro!

Njeriu që ka paqe me vetveten,
nuk ka nevojë t’ia errësojë tjetrit jetën.
Ai që ka vlera, nuk merret me baltë,
sepse dinjiteti nuk ndërtohet mbi inat.

Prandaj, jeto jetën që Zoti ta dha,
mos e humb në urrejtje për atë që s’e ke.
Se një ditë, kur vitet të kenë kaluar,
do ta kuptosh sa kohë ke shkatërruar.

Dhe mbaje mend këtë të vërtetë:

Xhelozia është burg pa hekur e pa dry,
ku gardian dhe i burgosur je vetëm ti.
Ndërsa ti digjesh nga suksesi i tjetrit,
ai vazhdon rrugën, pa e ditur zjarrin tënd të brendshëm.

Sepse njeriu i madh ndërton veten,
ndërsa njeriu i vogël përgojon tjetrin.
Dhe më e madhja humbje në këtë jetë
është të vdesësh duke jetuar jetën e dikujt tjetër!

Me respekt e dashuri,
©️ Makfire Shala,
Stadt Luzern