Reagon Gazmend Syla

Përderisa skandalet në Ministrinë tonë të jashtme janë bërë lajm ditor, një bashkëluftëtari tonë i është refuzuar viza nga ambasada kanadeze për arsye banale.
Në letrën e refuzimit shkruan se ai “se ka marrë pjesë në rrëzimin me forcë të një qeverie” dhe se “ka qenë pjesë e një organizate e cila është përgjegjëse për aktin e referuar.”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë e njohur nga NATO, pjesë e së cilës është edhe Kanada, si organizatë çlirimtare e cila ka luftuar për liri kundër okupimit e jo për rrëzimin e një qeverie.
Vetë Kanada ka ndihmuar Kosovën në përpjekjet për çlirim.
Për më tepër, në përgjigjen e ambasadës thuhet se “disa burime informacioni e përshkruajnë UÇK-n si organizatë që ka marrë pjesë në rrëzimin e një qeverie dhe që është involvuar në aktet terroriste.” dhe se “bazuar në këtë informacion, jam i kënaqur se ekzistojnë baza të besueshme se UÇK ka qenë e angazhuar të përmbys me dhunë një qeveri, sepse kjo organizatë ka përdorur dhunën dhe përpjekjen e armatosur për të fituar pavarësinë e saj nga Serbia.”
Këto pretendime janë të pabazuara, të papranueshme dhe të turpshme. Po çfarë kemi të presim prej një ambasade të huaj, kur vet Qeveria jonë i trajton në po të njëjtën mënyrë luftëtarët e lirisë çdo ditë?