Kryeministri Kurti kujton Gjingjiqin

20 vjet nga vrasja e Zoran Gjingjiq

Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë. Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb).

Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t.

Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera). Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz. Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë.

Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci. Me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat mbërrirë në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani ajo ka rënë te 1/3. Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm. Koha që rrodhi pas tij, shtoi peshë në anën e kundërt të demokracisë. Koha që po vjen, nuk duket se do ndryshojë gjë së shpejti atje.