Malli i Mërgimtarit nga poete Elmije Ajazi

Malli i mërgimtarit
„A ka qeshur dikush per mua?“

Kam një tokë larg syve, por afër shpirtit,
ku dielli lind ndryshe , me zë të nënës,
me erën e bukës së sapopjekur,
dhe me zhurmën e fëmijëve në rrugicat e shpirtit tim.

Kam një derë që nuk mbyllet kurrë,
edhe pse jam larg, ajo pret,
me dorën e babait në ballë,
e me lotin e heshtur të motrës në dritare.

Malli më zgjon para agimit,
në mes të një bote që nuk flet gjuhën time,
ku çdo buzëqeshje më kujton një tjetër ,
atje, ku s’më duhet të përkthej ndjenjat.

Zemra ime është një valixhe e hapur,
me copa dhe kujtime të palosura,
e çdo natë i flas hënës si mikes së vjetër:
„Si është sot vendi im? A ka qeshur dikush për mua?”

Regensburg, me 31 maj 2025