Nga Kumrie Avdyl Shala-Kam mall për vëndelindjen time

KAM MALL PËR VENDLINDJEN TIME

Më ka marrë malli ta dëgjoj në vendlindjen time një zë fëmije, një vaj a një britmë gëzimi,
t’i shoh fëmijët duke vrapuar te dera e oborrit për t’i dalë para babait që vjen nga puna i stërlodhur.
Më ka marrë malli t’i shoh fëmijët në sokakun e mëhallës sonë duke lozur, duke qeshur e duke bërtitur.
Këtu qenkan boshatisur mëhallë, fshat e sokak; paskan mbetur vetëm ndonjë plak e plakë!
Me këtë po e lumturojmë armikun.

Oborret qenkan boshatisur,
s’paska mbetur në to as hambar, as kosh drithi.
E mua më ka marrë malli ta shoh rrugës një qerre me kali të ngarkuar me sanë a me kashtë.
Më ka marrë malli të shoh dele, lopë e dhi, ara të punuara, të shoh në çdo shtëpi oxhaqe që tymojnë duke e mjegulluar qiellin,
t’i shoh laraskat duke krrokatur e duke ikur me shpejtësi.

Eh, mbeti shkret vendi që sa e sa herë u la në gjak në luftën për çlirim nga okupatori shekullor,
e tash rinia, si karvan, po ikën në kurbet, edhe pse askush nuk po e dëbon e as nuk po e rreh e nuk po e merr me të keq.
Atëherë, kur e hanim bukën thatë, nuk i lëshuam trojet; sokaqet e lagjet ishin përplot me njerëz.
Tash, me makina, celularë, krevate dopio e rroba firmato, po e lëmë vendin thatë!
Rrugën po ia trasojmë gjithkujt, edhe në tepih të kuq po ia shtrojmë, sepse politika jonë ka hyrë në qorrsokak.

Eh, mua më ka marrë malli të bashkohemi si dikur, në luftë e në demonstrata,
kur kërkonim të drejtat tona për arsim, gjuhë e flamur.
Protestonim dhe tregonim se vendin tonë s’e lëshojmë, se trojet tona do t’i çlirojmë,
dhe brohorisnim: liri, demokraci, krejt Kosova është shqiptari!
E tash lirinë e fituam, por vendi mbet bosh.

E unë po mundohem ta gjej fundin e mallit për vendlindjen time,
por është krejt kot-kot.

Nga:Kumrie Avdyl Shala L-II

https://gazetadestinacioni.al/kam-mall-per-vendlindjen-time-ngakumrie-avdyl-shala