Kryeministri Kurti vlerëson lart punën e IKKL-së

Instituti që e themeluam në nëntor të vitit 2023, tani me 39 të punësuar dhe gjashtë zyre rajonale, po vazhdon misionin e qartë dhe fisnik, dokumentimin e së vërtetës historike.

Me mbi 400 metra linearë material fizik dhe mbi 20 terabyte të dhëna digjitale, të mbledhura nga 650 burime, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë po ruan me kujdes kujtesën tonë kolektive.

Sot, gjatë vizitës sime në Institut dhe prezantimit të raportit vjetor, u rikonfirmua se IKKL po e forcon rolin e tij si mekanizëm qendror i shtetit për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.

Vizitova arkivin, si dhe zyrat e specializuara, ku po kryhet punë jetike për shtetësinë e Kosovës, për dokumentimin e së kaluarës por edhe për ardhmërinë tonë.

IKKL është shndërruar në një nyje qendrore institucionale ku grumbullohen burime e të dhëna dhe ku kërkohet informacion, sidomos nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Kontributi i IKKL-së po ndihmon në rritjen e hetimeve dhe ndjekjen penale të kriminelëve të Serbisë që kryen vrasje, përdhunime, tortura e masakra në Kosovë. Këtu gjendet dokumentimi i spastrimit etnik, shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut dhe pasojave të rënda që populli ynë ka përjetuar, si në jetë njerëzish, edhe në ekonomi dhe në trashëgiminë tonë kulturore.

Me vendosmërinë tonë për të mos harruar, Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës. Për të mos lejuar që krimet të kalojnë në heshtje dhe për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.

Falënderoj drejtorin Atdhe Hetemi dhe stafin e IKKL-së për punën dhe për përkushtimin ndaj së vërtetës.