Opinion nga zonja e çmuar Sala Berisha -Shala
Bonfire Night dhe Kuvendi ynë. Sa larg jemi nga demokracia?!
Pavarësisht dallimeve historike dhe distancës prej shekujsh, britanikët nuk e kthyen sulmin ndaj Parlamentit në një rrugë drejt pushtetit për autorët e tij!!!
Dje, britanikët festuan Bonfire Night, Natën e Zjarreve, që përkujton 5 nëntorin e vitit 1605, kur u zbulua Komploti i Barutit, një përpjekje për ta hedhur në erë Parlamentin britanik.
Komploti u zbulua, autorët u gjykuan dhe u dënuan, ndërsa dështimi i tij u kthye në një përkujtim historik që vazhdon edhe sot.
Mbi katër shekuj më vonë, kjo ngjarje na sjell ndërmend edhe një realitet jo aq të largët në Kosovë: pamjet e Kuvendit me gaz lotsjellës gjatë vitit 2015 dhe sulmi me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së tij më 2016, e që na e kujtojnë se sa e brishtë mund të jetë kultura parlamentare.
Ngjarje të ndryshme, në kohë e rrethana të ndryshme, por një pikë e përbashkët për reflektim: çfarë kuptimi ka Kuvendi, nëse aty nuk mbizotëron fjala?
Pavarësisht dallimeve historike dhe distancës prej shekujsh, britanikët nuk e kthyen sulmin ndaj Parlamentit në një rrugë drejt pushtetit për autorët e tij.
Ndërsa te ne, ironia bëhet edhe më e madhe; protagonistët e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend, vite më vonë, erdhën në pozita drejtuese të po atij institucioni. Janë ata që dje e pengonin punën e Kuvendit me gaz, sot kolegëve ua kufizojnë fjalën.
Kjo na shtyn të pyesim: a e kemi kuptuar vërtet demokracinë, apo vetëm kemi mësuar t’i ndërrojmë pozitat e pushtetit?
Britanikët e kujtojnë Komplotin e Barutit si një kapitull të historisë së tyre. Ne, ndërkaq, duhet të reflektojmë edhe për mënyrën se si i trajtuam ata që dikur penguan punën e institucionit me gaz lotsjellës dhe që më vonë morën drejtimin e tij.
Demokracia nuk është vetëm të fitosh pushtetin, por të respektosh rregullat, institucionet dhe të drejtën e tjetrit për të menduar e folur ndryshe.
Kuvendi nuk është pronë e atyre që e udhëheqin, por shtëpi e të gjithë qytetarëve.
Në Kuvend duhet të shpërthejnë argumentet, jo bombolat; të përplasen idetë, jo njerëzit. Sepse demokracia fillon aty ku fjala respektohet, edhe kur nuk na pëlqen.
Ndoshta ende kemi shumë për të mësuar për demokracinë, madje edhe për kuptimin e fjalës Kuvend.

