Vendlindja ime nga e mirënjohura Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Vendlindja ime
Vendlindja ime…
është vendi ku linda.
E qara e parë… nën qiellin tim,
hapi i parë… mbi tokën time,
fillimi i jetës… i ëndrrës… i gëzimit.
Vendlindja ime…
rrugicë e lojës së fëmijërisë,
ku qeshnin fëmijët… me pluhur në faqe.
Abetarja e parë… duart që dridheshin,
kënga e mësueses… që s’harrohet kurrë.
Vendlindja ime…
rrahje zemre, kujtim dashurie.
Puthja e parë… si pranverë në shpirt,
aromë verore… që digjet ngadalë,
por s’bëhet hi.
Vendlindja ime…
është buka e Nënës në magje,
e ngrohtë si diell në mëngjes.
Përqafimi i Babait në derë të shtëpisë,
kur vinte i lodhur… po me dritë në sy.
Dashuria e motrës… e butë, si erë.
Zëri i vëllait… që më thërret nga larg.
Në zemrën time… janë të gjithë bashkë,
si degë të gjalla… të një rrënje të vetme.
Vendlindja ime…
është mësuesja e parë,
shoqja e bankës… buzëqeshja e pastër.
Aty filloi udhëtimi im i gjatë,
aty u ndez… zemra ime e parë.
Vendlindja ime…
është dashuri pa hile,
që më do… e e dua përjetë.
Ajo më pret… me krahë të hapur,
në çdo kthim… në çdo kujtim të shenjtë.