Vështrim nga Faton Bislimi

24 Maj 2023: I paralajmërova; nuk dëgjuan!

19 Nëntor 2023: I ofertova; nuk pranuan!

28 Nëntor 2024: I përkraha; refuzuan!

Dje, më 24 Nëntor 2025, fiks 30 muaj nga 24 Maji 2023, LDK e Lumir Abdixhikut paska hapë dyertë për bashkëpunim e koalicion parazgjedhor me të gjithë ata që deri dje ishin ndoshta edhe më shumë sesa oponentë politikë të LDK-së; dyerë këto që qëndrojnë të mbyllura për shumë personalitete e figura të çmuara të LDK-së autentike!

Po e përmend 24 Majin 2023, sepse, fatkeqësisht, isha i saktë në paralajmërimin tim se ky lidership i LDK-së ishte në rrugë të gabuar, dhe këtë tanimë e vërtetoi vet Abdixhiku.

Ja vetëm një citat nga letra ime e dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së e datës 24 Maj 2023:

“…Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit. Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve…”

Vendimi i djeshëm i Abdixhikut për të garuar bashkë me Limajn në një listë me 28 Dhjetor është vulosje apostile e asaj që kam paralajmëruar në letrën time të dorëheqjes. Ku mbeti djathtizmi, idealet, vlerësimi i kontributdhënësve? U shuan! E mbi hirin e tyre, u ngritën përfituesit politikë, makinacionet e sforcimit të pozitave të titullarëve!

Injorimit të tyre të paralajmërimit të 24 Majit 2023, iu përgjigja me kurajo e ofertë të sinqertë për t’i dhënë LDK-së mundësi zgjedhjeje në Kuvendin e X Zgjedhor të 19 Nëntorit 2023. Nuk pranuan as garën dhe kështu thyen parimet bazë të demokracisë. Nuk patën as guximin më elementar për të konsideruar ofertën time, ofertë që do ruante dhe zhvillonte LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare! Merreni e lexojeni programin e kandidaturës sime dhe më argumentoni se me atë program nuk do rritej e konsolidohej LDK-ja siç i ka hije e siç i duhej Kosovës!?

Edhe njëherë, krejt injorimit e besa edhe linçimit (me sa patën kaqik), iu përgjigja me vetmohim — assesi për ta, por për LDK-në autentike — dhe me 28 Nëntor 2024, e tejkalova vetën, dhe i dërgova shkresë kësaj parisë së LDK-së duke shpreh gatishmërinë time për të përkrahur LDK-në në zgjedhjet e Shkurtit 2025! Refuzuan! As pergjigje nuk kthyen!

E tash, ju “patriota e rugovista” që ende besoni në këtë lidership të LDK-së, aman më kurseni nga klishetë e pabaza se “duhet folë brenda shtëpisë për këto cështje e jo në publik,” sepse para secilit veprim publik, unë kam shteruar çdo përpjekje përbrenda! Idetë se “tash në prag të zgjedhjeve po e sulmoni LDK” janë sa të pabaza, aq edhe fyese!

Nuk i ikë asnjëherë debatit të argumentuar e as edhe mendimeve ndryshe, por klishetë janë totalisht të pavlera. Për patritotët e rugovistët mirëfilli, vlerësoj se koha s’po na pret e as s’do na falë!

Kosovës i duhet një forcë politike e djathtizmit autentik kombëtar. Dhe, do ta ketë! Duhet!