Nga e mirënjohura Trendafile Visha

Dhoma qorre…

Koha më futi në një dhomë qorre,
të marr lapsin
e të vizatoj sy të verbër përreth meje.
Të gënjej se sytë e mi shohin.

Po si kështu…?

Edhe sikur…
edhe sikur…
dy sy të vetëm,
sa mund të shohin
brenda një dhome
ku heshtin zërat
mbi rrjetat e merimangave?

Koha e solli
të ulem në një tavolinë
e të shkruaj
për engjëjt dhe djajtë,
për virgjërinë dhe zhvirgjërimin…

Po si kështu…?

Kush janë engjëjt,
kush janë djajtë,
kur unë gënjej veten
se jam Maria e frymës,
teksa qepem e shqepem
brenda një dhome
ku suvatë e rëna
qeshin me gojët e mykura.

Koha e solli
të rebelohem,
të dal e vjetruar
prej dhomës qorre.

E tani endem nëpër udhë,
endem duke mbledhur copat e mia,
duke përthyer lart kapakët e syve,
si dikur kur ishim fëmijë
e trembnim në lojë
njëri-tjetrin
me damarët e kuq të syve.