Nga poetja dhe gazetarja Dalinë Arifi

Ajo

Një vajzë plot sharm dhe elegancë, me takat e saj, çantën në dorë, flokët dhe sytë kafe përcillnin sinqeritet, me atë fustanin e zi që linjat ia vinte në pah, dhe ato buzët e kuqe, si çdo herë, shkëlqenin.

Ajo, kur buzëqeshte, botën e bënte ta lakmonte.

Sonte ajo është në atë tavolinë, me flokët e shprishur, sytë e enjtur, me atë fustan që ende bukur i rri, me një gotë verë që i bën shoqëri. Sonte ajo nuk buzëqesh, e heshtur rri.

Ajo as veten s’po e njeh më, as nuk flet, as nuk përshëndet. Pi atë gotën me verë dhe dëgjon në heshtje muzikën, ndjek vargjet e këngës, sikur t’i ketë shkruar ajo vetë.

Ajo dhe nata e saj e fundit…

Nesër nuk do të jetë në këtë qytet, parfumi i saj s’do të ndihet më në rrugë. Hapat e saj të ngadalshëm, teksa përplasen mbi kalldrëm, do të harrohen ndoshta një ditë…

Por fustani i saj i zi do të mbetet ende në sy.

Ajo, vera e kuqe dhe fustani i zi… Në pah, një çmenduri.DA🖤