Liria para Gjyqit-Mr.Florent Selca

LIRIA PARA GJYQIT

I ulur në rehatinë e kulltukut tim, shikoj në ekran fytyrat e çlirimtarëve të mi. Shikoj se si belbëzohen fjalët e zemrës teksa dalin nga goja e atyre që dikur thërrisnin për kushtrimin e lirisë. Fytyra të zbehura, por aspak të trishtuara, flokë të thinjura e me rrudhat që kanë filluar t’i përkëdhelin faqet e tyre. Xhandarmëria e huaj iu rrinë tek koka, a thua se këta janë përbindësha! Kështu po i quan Serbia, e ndoshta këtë bindje ua kanë përcjellë edhe kumarëve të tyre në Hagë.
Aty i ulur në kolltukun tim, djersa më kaplon ballin, dhe seç ndjej një ftohje në zemër, kur lufta e popullit tim, etiketohet si ” ndërmarrje kriminale”.
Jam në dilemat Hamletjane: a e bën i forti ligjin, apo ligji të fortin?
Liria kishte çmim, që ne i dhamë emër – UÇK.
Liria para gjyqit, ashtu siç ndodhi dikur me Sulejmanin e Abdylin në “Epokën para gjyqit”, vetëm se kësaj radhe janë ndërruar protagonistët.
Po na e thajnë lirinë me kthetrat që na thërmojnë deri në palcë. Po na gjymtojnë historinë, për të cilën me krenari po i mësonim fëmijët tanë.
E çka t’ju them unë sot këtyre që po tallen me lirinë tonë? T’ju them se lirinë e fituam me banda që ndërmerrnin veprimtari kriminale? JO ORE, JO. Ata janë çlirimtarët e mi, që me gjak e djersë ma sollën lirinë.
E more Adem Jashari, i lehtë të qoftë mbi varr lendina, se edhe ti, po të ishe gjallë, kriminel të kishin etiketuar.
Po e shikoj lirinë time në sytë e juaj o trima, po i rikujtoj sakrificat tona nën zërin e mykur. Ku është mllefi i Nasimit, ku mbeti plaga e Hysnisë?
Burgu thonë për burra është, por kjo dikur kishte vlerë. Sot burgu nuk është për trima, se liria erdhi.
Këto përjetime më kapluan këto ditë, përderisa shikoj luftën e popullit tim të gjykohet në liri.
Linja nga Haga bie, televizori errëson pamjen dhe vetëm pas disa sekondave, jeta i kthehet realitetit normal, ku secili shikon të fitoj por edhe të përfitoj nga hiçi.

F. Selca

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *