Një perlë nga e mirënjohura znj.Ganimete Jakupi
DASHURIA E NJË NARCISTI…
“Narcisti nuk të do — ai të përdor si pasqyrë, dhe kur imazhi yt nuk ia ushqen më egon, thyen pasqyrën pa asnjë pendesë”.
Dashuria me një narcist nuk është një vallëzim mes dy zemrave, por një shfaqje me një aktor të vetëm. Aty ku ti kërkon përqafim, ai kërkon adhurim. Aty ku ti ofron ndjeshmëri, ai merr për të ushqyer egon e tij. Në fillim mund të ndihesh si universi i tij, por më vonë kupton se gjithçka rrotullohej vetëm rreth tij — dhe ti ishe thjesht një dritë që ndriçonte pasqyrimin e tij.
Narcisti të sheh, por jo si një shpirt me thellësi. Të sheh si një vitrinë, ku ai pasqyron veten më bukur. Ai nuk të do për atë që je, por për atë që i bën të ndihet. Ai të frymëzon të besosh se je e veçantë, vetëm që më pas të të rrëzojë për të ruajtur pushtetin e tij mbi ty. Kjo nuk është dashuri. Është një varësi e maskuar si pasion.
Shpesh, viktima e një narcisti mbetet me ndjesinë se nuk është mjaftueshëm e mirë, por e vërteta është ndryshe: një narcist nuk e do askënd, sepse ai nuk ka mësuar ende të shohë përtej vetes. Ai nuk njeh barazi në ndjenjë; ai kërkon të dominojë, të ndriçojë, të admirohet.
Por si e dallojmë një dashuri të tillë?
Ajo fillon furishëm — me gjeste madhështore, me premtime që duken të përjetshme, por shumë shpejt ato rrëzohen nën peshën e manipulimit, kritikes dhe mungesës së ndjeshmërisë. Në vend të një partneri që të dëgjon, ke një vështrim që kërkon vetëm të miratohet. Në vend të një shpirti që të mbështet, ke një ego që të konsumon.
Cila është rruga për t’u larguar?
Të largohesh nga një marrëdhënie me një narcist kërkon forcë, është një proces shpërthyes, sepse ndërsa largohesh, ai do përpiqet të të tërheqë sërish — jo nga dashuria, por nga frika e të humburit kontroll, por çlirimi vjen kur kupton se ti nuk je një pasqyrë…Ti je dritë më vete dhe drita s’ka nevojë për leje që të shkëlqejë.
“Për të dalë nga hijet e një narcisti, duhet të gjesh dritën brenda vetes. Largohu, jo vetëm nga ai, por edhe nga pasiguria që ai mbolli në shpirtin tënd, dhe mëso të duash vetveten me një dashuri që nuk ka kushte”.
19.04.2025 ©️Ganimete Jakupi, Zvicër.