Poezi nga znj.Elmije Ajazi

Murmurimë (pa shkëlqim)

Nuk më dhurove yje,
as unaza buzë detit.
Më dhe një batanije të ngrohtë,
kur frynte veriu në shpirt.

Nuk më solle lule çdo javë,
por dite si ta ujisësh heshtjen
që të mos thahet mes nesh.

Ti nuk je poezi e lartë,
je fjalë që s’më lodhë të përsëritet.
Je gota që lahet pa zhurmë pas darke,
je ai që mban mend si e dua kafen.

Nuk më premtove përjetësi,
por më tregove çdo ditë
si duket një njeri që nuk ikën.

Dashuria jote nuk fryn fort,
por mbetet.
Nuk ndrit si mjellmë në qiell,
por është zëri yt në dhomën tjetër –
i njohur, i butë, i afërt.

Kur më zë frika,
ti nuk lufton për mua,
thjesht rri pranë
derisa të më kthehet fryma.

E kjo dashuri –
pa breshëri fjalësh –
është ngjitja e sigurt e dy duarve
që nuk lodhen ta mbajnë njëra-tjetrën.

Regensburg, më 24 qershor 2025