Ish ministri Armend Mehaj kujton nënat e dëshmorëve të atdheut
“Atdheu nuk ka nevojë që ne të krenohemi me të, por ka nevojë për burra e gra që punojnë për të.” – Hasan Prishtina
Kur Kosova humb kohë, humb para, humb miq dhe humb hapa në arenën ndërkombëtare , në diplomaci, siguri, integrim dhe politikë të jashtme – dikush duhet ta paguajë faturën. Dhe në këtë rast, është vetë shteti që humb.
Deputetët që nuk arrijnë të bien dakord për të mirën e përbashkët, e lënë vendin pas. Kjo krijon hapësirë për ata që nuk na duan të mirën , përfshirë Serbinë dhe individë që paguhen për të krijuar destabilizim.
Sidomos kur Serbia përballet me kriza të brendshme, për të është e lehtë të zhvendosë vëmendjen drejt Kosovës. Prandaj nuk duhet të na habisin incidentet në kufi, bllokimet e rrugëve, sulmet ndaj diasporës, nxitja e përleshjeve, shpifjet në media, apo edhe djegia e ndonjë veture për të krijuar kaos. Të gjitha janë pjesë e një strategjie për ta mbajtur Kosovën në krizë.
Kosova nuk duhet të ndihmojë vetë në këtë lojë, duke mos pasur një parlament funksional, një qeveri stabile, apo duke rrezikuar fonde ndërkombëtare dhe procese madhore si PFP-ja. Çdo minutë e humbur është një hap prapa për vendin.
Këtë e kemi borxh ndaj luftës sonë çlirimtare. E kemi borxh ndaj popullit që qëndroi e sakrifikoi. Dhe mbi të gjitha – e kemi borxh ndaj dëshmorëve dhe martirëve që dhanë jetën për një Kosovë të lirë dhe të denjë.
Çdo hap dhe veprim yni sot, do të ndikojë dhe përcaktojë të ardhmen e vendit dhe të brezave që vijnë.