Notat e shpirtit tënd nga shkrimtarja Elvira Zeneli
Elvira Zeneli
Notat e shpirtit tënd
Nëse të kam lënduar me ndonjë fjalë,
Të lutem, më fal —
E brishtë jam në stacionin tënd,
Vetmisë i ngrita dorën që ta ndal.
Ah, vetmia jote, njësoj mua më dhemb…
Në brigje të heshtura mbrëmjesh kam shkelur me mall,
Pulëbardhat më rrinin në pëllëmbë, si stoli deti e bardhë.
Por kur ta pashë shpirtin, u ndala në një valë pa kthim,
E jeta më dha kurorë, si mbretëreshë në mbretërinë tënde të bardhë.
Kam parë sytë e hënës me vështrimin e ndrojtur,
Me buzët që më dridheshin, bisedonim çdo natë.
Por kur të gjeta, u ktheva në kështjellë të pamposhtur,
Në bedenë e kalasë, si shqiponjë në fluturim të gjatë.
Do të shkelim mbi qiej të ngrysur e të egërsuar,
Se miqësia nuk është lule që falet —
Është lulishte, e ne, lulishtarë të kërrusur,
Që mbi çdo gjethe e petale ndalet…
Në ëndrrat e mia, unë tek ti do të vij,
Aty ku ti po fle e loti në sy m’u tha.
Kam marrë me vete ca nota melodie në gji —
Do, Re, Mi, Fa, Sol, Si… dhe La.