Rrënjët e Lirisë nga e mirënjohura Elvira Zeneli

Elvira Zeneli

Rrënjët e Lirisë

I pashë lisat e lartë,
vraponin drejt qiellit,
sikur kërkonin të iknin nga toka,
nga pesha e saj e lashtë.

Por toka i mbante fort rrënjët,
si nënë që s’lëshon dot fëmijën.
E mendova me vete:
veç rrënjët dhe eshtrat i mban kjo tokë.

Atëherë nxitova hapat,
sikur diçka e padukshme më thërriste,
si pickimi i një blete,
që të zgjon mendimin nga gjumi.

Mbi breg, deti po zgjohej,
shtrinte dallgët mbi rërë,
si duar të lodhura që kërkonin përqafim,
për një çast drite që s’do të shuhet.

Dhe dielli — si ai det i zgjuar —
zgjati shpirtin mbi agim,
duke ndier se liria s’është fluturim,
por rrënjë që marrin frymë në dritë.