Veprimtari Veton Binakaj -Opinion

Veprat e bëra me besim dhe dashuri kan më shumë peshë se veprat e mëdha të bëra me mëndjemadhësi .
Një përkushtim dhe Bashkim i pa shembullt në Lëvizjen Kombëtare për Liri dhe të drejta tona në tokën tonë!

Me qëllim të ndarjes me publikun të ngjarjeve të atyre viteve, dhe për të hedhur dritë mbi karakterin dhe sakrificën e Fadil Kryeziut gjatë periudhës së grevës së minatorëve, po rikujtoj këto momente që mbeten të skalitura thellë në historinë tonë kombëtare.

Ngjarjet e grevës së minatorëve të Kosovës në shkurt të vitit 1989 përbëjnë një prej kulmeve të rezistencës civile shqiptare në ish-Jugosllavi. Greva e urisë e punëtorëve të Minierave të Trepçës, e përkrahur fuqishëm nga studentët e Qendrës së Studentëve, u shndërrua në një manifestim të jashtëzakonshëm të unitetit dhe vendosmërisë kombëtare. Përkrahja vinte nga të gjitha anët: studentë, minatorë, qytetarë nga e gjithë Kosova dhe bashkatdhetarë nga diaspora — një solidaritet i rrallë që sfidonte kohën dhe rrethanat.

Unë kam qenë ndër studentët aktivë në grevën e urisë në mbështetje të kërkesave të drejta të minatorëve. Në qendrën sportive, ku studentët qëndronin ditë e natë, mikrofonin e mbante shpesh Fadil Kryeziu. Me ton të qetë, të matur e të vendosur, ai i drejtohej turmës së studentëve, duke i inkurajuar të qëndronin të pathyeshëm përballë presioneve të asaj periudhe të rëndë.

Në një nga konsultimet tona, unë, Fadil Kryeziu dhe Bajram Kadriu, Fadili paraqiti një propozim që reflektonte mençuri dhe aftësi të jashtëzakonshme për të parë përtej vetes. Ai tha:
“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos rrezikohemi të gjithë. Unë jam tashmë i ekspozuar para organeve të UDB-së. Nëse arrestohem vetëm unë, humbja është më e vogël sesa po të na arrestonin të gjithëve, duke qenë se jam ai që po mbaj mikrofonin.”

Ky ishte një akt i pastër vetësakrifice — një vendim i ndërgjegjshëm për të mbrojtur shokët dhe për të ruajtur forcën e lëvizjes studentore e kombëtare, në një kohë kur çdo hap mund të kishte pasoja të rënda.

Fadili ishte ndër pjesëtarët kryesorë të delegacionit studentor që vizitoi minatorët në Trepçë, përfshirë edhe zbritjen në zgafelle, aty ku minatorët rezistonin nën kushte të rënda e të pasigurta. Ndërkohë, unë, Bajram Kadriu dhe studentë të tjerë vizituam minatorët në spitalin e improvizuar në Stari Tërg. Ato ditë mbeten të paharruara, të gdhendura në kujtesën tonë kolektive, por edhe në ndërgjegjen personale të secilit prej nesh që i jetuam ato momente.

Edhe pse kanë kaluar 36 vjet e nuk jemi takuar më, për shkak se unë jetoj dhe punoj në New Jersey, SHBA, e ndiej si detyrim moral të ndaj këtë dëshmi me publikun. Sakrifica dhe karakteri i Fadil Kryeziut janë të njohura për të gjithë ata që ishin pjesë e asaj periudhe, dhe vlerësimi për atë çka ai përfaqësonte në atë kohë mbetet i merituar. Ai dëshmoi se është njeri që di të vërë interesin e përgjithshëm mbi interesin personal — një cilësi thelbësore e atyre që e duan me të vërtetë vendin e tyre.

Me këtë rast, i uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në çdo përpjekje që synon të shërbejë interesit të qytetarëve të Kosovës.