Nga Dalinë Arifi
Nuk është veç një femër për t’i shuar epshet
Mblodha forcat e mia për të përballuar peshën e rëndë mbi supe. Nuk iu gjunjëzova askujt, as nuk kërkova lëmoshë rrugëve të qytetit, edhe atëherë kur nuk kisha as një qindarkë në xhep.
U ngrita sa herë jeta më përplasi për tokë; mora forcën nga prindërit, që sa herë i shihja me rrudha të reja në ballë, qëndronin stoikë edhe pse jeta i kishte kërrusur goxha shumë.
Shpeshherë, në mesnatat e vona, i kam folur vetes — më saktë, kam folur me veten time — duke i thënë se jeta nuk është të presësh nga të tjerët, por të punosh fort edhe atëherë kur ndihesh e stërlodhur. Mos u ndal, sepse nuk të mësuan kështu.
Desha t’i arrij synimet e mia me forcat e mia, me dhimbjet e mia, me dështimet e mia, me lodhjet e mia — që në fund, pas çdo rrëzimi, të ringrihem ballëhapur, duke u mbështetur tek vetja ime dhe me krenari të them:
Kjo jam unë.
Jam rrëzuar, jam ngritur, kam dështuar — por prapë nuk jam ndalur.
Jam mbyllur në dhomë, përballë mureve të larta e të vetmuara, por prapë kisha veten dhe një ëndërr për të luftuar.
Unë nuk jam thjesht një femër për të larë e shpëlarë; unë jam kjo që jam — duke luftuar, duke u përballur me çdo vështirësi, derisa erdha këtu, dhe me krenari kërcas takat e suksesit tim.
Tashmë, mbi supet e mia mbart peshën e një burrneshe që lufton nëpër frontet e jetës për të mos u shkelur nga askush — madje as nga vetë jeta, që ndonjëherë di të të befasojë.
Ajo, një vajzë e thjeshtë, e dashur, modeste përballon një luftë brenda shpirtit të saj.
Nuk është një femër vetëm për t’i shuar epshet.
Dalinë Arifi

