Çaste poetike me të mirënjohuren Bruna Gosa

Bruna Gosa

Deri sa të na shkojë

Të dua…
jo si paqe,
veç plagë që digjen bukur.

Të dua si zjarr që s’njeh ujë,
si betim pa dëshmi,
si mëkat që s’ka pendesë!

Ti the -“deri sa vdekja të na ndajë…”
Dashuria nuk vdes,
ajo thjesht ndërron emër…
e ne thjesht mbetemi peng.

Të dua si Neruda që pi verë me fjalë,
si Romeo që harron se jeta s’është skenë,
si deti që nuk pyet për breg.

Ti doje dashuri me kontratë
unë doja fat pa afat.
Në një botë që do gjithçka… me limit.
ajo nuk kërkon leje.
Ajo ndodh,
dhe digjet,
derisa universi të marrë frymë me ne.

Kështu të dua…
Jo “deri sa të na shkojë”.
As “deri sa vdekja të na ndajë”.
Por deri sa të ndalet koha.

Dashuria s’është fund.
Është fillimi që na përvëlon.
Është rrëmuja ku njeriu lind përsëri.