Dedë Abazi vlerëson lart Ramush Haradinajn
Ramush Haradinaj – Një Hero i Gjallë i Kombit!
Ramush Haradinaj është një figurë e pazëvendësueshme për ne. Ai nuk është thjesht një politikan — ai është shpirt dhe esencë e luftës sonë për liri. Njeri me guxim, integritet, traditë dhe bujari. Ramushi dhe familja e tij, ashtu si familja Jashari, janë gurë themeli të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), mbi të cilët u ngrit liria jonë.
Unë e kam njohur Ramushin që në kohë lufte, në vitin 1998. Kur udhëtoja nga Drenica në Dukagjin me Zef Mark Ndrejaj (djalin e Mark Avdylit), me Sokol Markajn (djalë daje – i imi) dhe, nëse nuk gaboj, edhe me Agron Gërvallën, nuk e dija ende se sa i jashtëzakonshëm ishte Ramushi.
Në Gllogjan e takova për herë të parë. Enrush Qemaili më tha: “Tash po vjen!” Dhe posa e pashë të afrohej me dy ushtarë, që nga larg e kuptova kush ishte. Ecja, uniforma, shikimi, qetësia — çdo gjë tregonte se qëndronte para nesh një burrë i rrallë, i pathyeshëm. Një ushtarak në çdo atom të trupit, një stil “Rambo”, por me shpirt krejt shqiptar.
Pas luftës pata fatin të punoj me të në politikë. Me themelimin e AAK-së, isha anëtar i kryesisë qendrore për disa vite. Të punosh me Ramushin nuk është thjesht angazhim politik — është nder dhe përgjegjësi. E njoh nga afër bujarinë e tij, mikpritjen, karakterin. Ka ardhur në shtëpinë time, siç kam qenë edhe unë mysafir në shtëpinë e tij. Ai është burrë i madh shqiptar, i rrallë, që të jep respekt dhe të ngjall krenari.
Ramushi ka dëshmuar gjithmonë gatishmëri për sakrificë. Një nga momentet më të dhimbshme ishte rënia e vëllait të tij gjatë luftës. Ai rrëfen:
“Duke menduar se është vetëm i plagosur i kam thënë: ‘Hej mashkull, çohu, mos na korit fisin se hala nuk është kryer. Çohu ta marrim Rafetin, se na ka mbetur poshtë i plagosur.’ Ai nuk bëri zë. Ishte vrarë. Plumbi e kishte marrë në gojë. E pashë që Luani kishte vdekur.”
Nga ana tjetër, fjalët e Rafet Ramës tregojnë madhështinë e Ramushit:
“I kam thanë Ramushit: ‘Mundësisht veç çantën hiqma.’
Ramush Haradinaj ma ka hjekë çantën dhe u gjujt mbi trupin tim. Ka pranu me i rrokë plumbat ai e mos me më marrë mu.”
Këto nuk janë fjalë mahallash, as trillime. Janë histori lufte — fletë të gjalla të besnikërisë, trimërisë dhe përkushtimit të Ramush Haradinajt.
E sot, kur lexoj tyrli lloj teveqeli që mundohet të hedhë baltë mbi Ramushin, jo vetëm që më duket e dëmshme, por është edhe turp.
Si është e mundur që ende nuk po e mësojmë vlerësimin për figurat tona kombëtare? Popuj të tjerë do të ishin krenarë me një hero të gjallë. Ndërsa tek ne dalin lloj-lloj zdroli e zdrolejke që shpifin e trillojnë, deri aty sa ta akuzojnë Ramush Haradinajn për bashkëpunim me Serbinë.
A jeni normal, o të mjerë?
Ramush Haradinaj është vlerë e kombit tonë. Është nderi, sakrifica dhe qëndresa e shqiptarëve. Historia e ka shënuar — dhe askush nuk mund t’ia zbehë këtë histori.
