Nga e mirënjohura znj.Ganimete Jakupi
NËNSHTRIMI…
Në këtë botë, shumë njerëz nuk kërkojnë të të kuptojnë — kërkojnë të të nënshtrojnë. Nuk u mjafton që të ecësh pranë tyre; duan të ecësh sipas tyre. Duan të mendosh si ata, të heshtësh kur ata urdhërojnë, të përkulesh kur ata ndihen më të fortë. Dhe momenti që ti refuzon nënshtrimin, bëhesh kërcënim për egon e tyre.
Secili nga ne është përballur me njerëz të ndryshëm duke filluar nga familja, shoqëria apo edhe kolegët, secili nga ne ka provuar çka do të thotë kur të tjerët luftojnë me shpirt për të të thyer. Njësoj edhe unë kam pasur raste si secili prej jush të përballem me njerëz që prisnin çastin kur lodhja, dhimbja apo vetmia do të më detyronin të nënshtrohesha. Mendonin se rrethanat e vështira do ta dobësonin karakterin tim dhe se, herët a vonë, do të hiqja dorë nga vetja për t’u bërë si ata. Por gabuan, sepse nënshtrimi nuk fillon kur njeriu rrëzohet; nënshtrimi fillon kur ai harron kush është.
Ka ndodhur që kam pasur ditët më të errëta dhe përsëri nuk kam pranuar të jetoj e gjunjëzuar. Kam zgjedhur të vuaj me dinjitet sesa të jetoj e nënshtruar, sepse ka një ndryshim të madh mes paqes dhe nënshtrimit: paqja të qetëson shpirtin, ndërsa nënshtrimi ta vret atë ngadalë.
Shpesh njerëzit nuk largohen sepse je i keq; largohen sepse nuk arritën të të kontrollojnë. Ata lodhen kur kuptojnë se ti nuk ndryshon fytyrë për interes, nuk ul kokën nga frika dhe nuk tradhton parimet vetëm për t’u pranuar. Njerëzit që jetojnë duke nënshtruar të tjerët, nuk e durojnë dot dikë që mbetet i lirë në mendje dhe në karakter.
Filozofia ime ka qenë gjithmonë e thjeshtë: më mirë i vetëm sesa i nënshtruar, sepse vetmia nuk ta ndryshon shpirtin, ndërsa nënshtrimi ta copëton identitetin deri sa nuk njeh më veten në pasqyrë. Dhe unë nuk kam lejuar askënd të më deformojë vetëm që ata të ndiheshin më të fuqishëm.
Sot, shumë prej atyre që mendonin se do të më nënshtrohej karakteri im, janë larguar vetë. U distancuan sepse kuptuan se nuk mund të më bënin kopje të tyre. Ata, ato nuk mundën të më mësonin hipokrizinë, as frikën, as maskat që vetë mbanin çdo ditë. Dhe kjo ishte humbja e tyre, jo e imja, sepse njeriu që nuk pranon nënshtrimin, edhe kur është në pikën më të dobët të jetës, posedon diçka që nuk blihet e nuk imponohet: një shpirt të lirë. Dhe një shpirt i lirë mund të plagoset, mund të lodhet, mund të mbetet vetëm… por kurrë nuk përkulet.
20.05.2026
©️Ganimete Jakupi, Zvicër.

