Reagime të fuqishme nga Amerika komuniteti shqiptarë
Reagim publik – Drejtësi, jo ndëshkim politik: Specialja nën hijen e shkeljeve serioze
Në prag të përfundimit të proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ne, organizatat dhe shoqatat ushtarako-patriotike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e konsiderojmë të domosdoshëm një reagim të qartë dhe publik përballë mangësive të rënda që kanë shoqëruar veprimtarinë e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ajo që duhet të ishte një standard i lartë i drejtësisë, deri më sot ka prodhuar pasiguri juridike, dyshime serioze mbi profesionalizmin dhe një varg shkeljesh proceduriale që cenojnë vetë thelbin e një gjykimi të drejtë.
Proceset janë zhvilluar me transparencë të kufizuar, me seanca të mbyllura dhe me redaktime të gjera të materialeve, duke i mohuar opinionit publik dhe palëve mundësinë për të verifikuar provat reale mbi të cilat mbështeten akuzat. Një gjykatë që operon në errësirë proceduriale nuk mund të kërkojë besim publik.
Të drejtat themelore të të akuzuarve janë cenuar vazhdimisht përmes kufizimeve në qasje të plotë në dokumente, vështirësive në përgatitjen efektive të mbrojtjes dhe standardeve të pabarabarta proceduriale. Parimi bazë i “barazisë së armëve”, shtylla e çdo sistemi penal demokratik, është luftuar në praktikë.
Akuzat në disa raste janë mbështetur në dëshmi joreale, indirekte, kontradiktore dhe në dëshmitarë jo adekuatë, duke krijuar procese që ngjajnë më shumë me supozime sesa me prova të forta juridike. Një gjykim penal nuk mund të ndërtohet mbi hamendje apo rrëfime të pasigurta.
Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e konsiderueshme e materialeve provuese burojnë nga institucione shtetërore serbe, palë drejtpërdrejt e përfshirë në luftë, krim, spastrim etnik, dhunë dhe çfarë jo.
Pranimi i pakritik i dokumenteve nga burime me konflikt të hapur interesi bie ndesh me çdo standard objektiviteti dhe e dëmton rëndë integritetin e procesit.
Mbajtja e gjatë në paraburgim për vite me radhë, pa vendim përfundimtar, ka prodhuar në praktikë një dënim para dënimit, duke shkelur të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm. Kjo nuk është masë sigurie, por ndëshkim i heshtur.
Propozimi për dënime nga 45 vite burgim për secilin nga katër liderët e UÇK-së, në këto rrethana proceduriale të diskutueshme, duket jopropocional dhe krijon perceptimin e një qasjeje ndëshkuese e jo të balancuar ligjërisht.
Dënimi i Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës përforcon këtë shqetësim, duke reflektuar një praktikë ku provat bazohen në supozime indirekte dhe jo në prova të forta dhe juridikisht të verifikuara. Këto raste nuk rrisin besimin në drejtësi, por thellojnë dyshimet mbi cilësinë e saj.
Po aq alarmant është fakti i rrjedhjes së dokumenteve konfidenciale nga vetë sistemi i gjykatës, skandal që çoi në dënimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Një institucion që nuk arrin të mbrojë integritetin e materialeve të veta vështirë se mund të pretendojë standarde të larta profesionale.
Të gjitha këto mangësi të marra së bashku tregojnë për një proces të brishtë, të politizuar dhe jo në përputhje të plotë me normat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar për askënd; kërkojmë vetëm drejtësi të pastër, profesionale dhe të bazuar në prova të pakontestueshme.
Në këtë moment vendimtar, kërkojmë që gjykata të reflektojë seriozisht mbi këto dështime dhe të garantojë që vendimet përfundimtare të mos jenë produkt i procedurave të mangëta, por i standardeve të vërteta ligjore. Drejtësia për krerët e UÇK-së duhet të jetë drejtësi reale, jo rezultat i proceseve joprofesionale që dëmtojnë të vërtetën dhe besimin publik.
Në emër të:
Shoqata e ushtarakëve Shqiptar Skënderbej NY — Kryetar Kolonel Gezim Shentolli
Forumi i ushtarakëve Shqiptar Philadelphia — Kryetar Niko Salavaqi
Shoqata Bijtë e Shqipes Philadelphia — Kryetar Dritan Matraku
Organizata e veteranëve të UÇK-së për Amerikë e Kanada — Kryetar Kolonel Astrit Huskaj

