Opinion emocional nga intelektualja spikatur Brunilda Dedaj për profesorin Albert Riska

Albert Riska, një jetë në shërbim të gjuhës shqipe

Nga Bruna Gosa

Ka njerëz që ikin nga kjo botë, por zëri i tyre mbetet gjatë në kujtesën e atyre që i njohën dhe në veprën që lanë pas. I tillë është Prof. Albert Riska, gjuhëtar i shquar, studiues i përkushtuar i gjuhës shqipe, pedagog dhe intelektual i një formimi të rrallë.

Dishepull i Çabejt, ai i përkiste asaj plejade studiuesish që e shihnin gjuhën jo thjesht si objekt studimi, por si themel të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare. Me punën e tij kërkimore dhe me botimet e shumta, ai i dha një kontribut të çmuar gjuhësisë shqiptare, duke lënë gjurmë të rëndësishme në studimin dhe njohjen e shqipes.

Për Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, humbja e tij, boshllëk i madh. Aty ku ai ligjëroi, hulumtoi dhe formoi breza studentësh, do të mungojë një nga zërat më të spikatur të gjuhësisë. Por universitetet nuk i mbajnë mend vetëm përmes auditorëve; i mbajnë gjallë përmes dijes që profesorët u lënë brezave.

Për mua, Prof. Albert Riska ishte profesori im, ishte një njeri që diti të ishte pranë edhe në ditë të vështira, edhe në ditë suksesi. Për këtë arsye, kujtimi im për të nuk lidhet vetëm me dijetarin e madh, por edhe me njeriun fisnik, të përkushtuar dhe njerëzor.

Në ditë zie, fjalët duken të pamjaftueshme përballë humbjes së një njeriu që ka dhënë kaq shumë për dijen, gjuhën dhe arsimin. Por vepra e tij do të vazhdojë të flasë. Do të flasë në librat e tij, në studentët që mësoi, në kolegët që bashkëpunuan me të dhe në çdo studiues që do t’i rikthehet punës së tij.

Qofsh i diellit dhe i parajsës, Profesor Albert!

Ngushëllime të thella familjes, kolegëve, studentëve dhe gjithë komunitetit universitar të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

U prehsh në paqe, Profesor!