Presidenti Begaj takon homologun Alyiev

Mirëprita sot në Tiranë Presidentin e Azerbajxhani Ilham Aliyev, në vizitën e parë të një presidenti azer në vendin tonë. Me Presidentin Aliyev folëm për bashkëpunimin e suksesshëm përmes projektit të TAP-it, që hap mundësi të reja bashkëpunimi, përfshirë procesin e gazifikimit të vendit tonë. Shqipëria si vend tranzit në kuadër të TAP-it synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit.

Në takim u diskutua për shtimin e vëllimit të furnizimit me gaz që kalon përmes Shqipërisë, gjë që do ti kontribuonte sigurisë energjitike të Europës, edhe në këto kohëra të trazuara lufte. Investimet në infrastrukturën energjitike janë një domosdoshmëri sidomos ndërsa përballemi me kriza dhe konflikte.

Vitin e ardhshëm mbushen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ndaj është momenti i duhur për të intensifikuar më tej marrëdhëniet dypalëshe. Për këtë arsye, vlerësuam propozimin e Azerbajxhanit për të hapur një ambasadë në vendin tonë. Gjithashtu, turizmi mbetet një tjetër sektor i rëndësishëm, ndaj folëm dhe për mundësinë e heqjes së vizave për qytetarët tanë.

Duke u ndalur te politika e jashtme, theksova se Shqipëria mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë, me ndërmjetësimin e aktorëve ndërkombëtarë. Inkurajova ndërkohë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, apo njohjen e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës.