Një opinion me vlerë nga atdhetari Veton Binakaj

Reflektim mbi një të vërtetë historike të deformuar: Kundër përpjekjeve për minimizimin e sakrificës kombëtare

Në diskursin publik të viteve të fundit, gjithnjë e më shpesh haset një prirje shqetësuese, ku disa pjesëtarë të kombit tonë – nëpër intervista, analiza politike apo shkrime publike – tentojnë të zhvlerësojnë kontributin historik të atyre që, me përkushtim të pashoq, u rreshtuan në mbështetje të kauzës sonë kombëtare nga jashtë kufijve të Kosovës. Këto qëndrime, të shtyra shpesh nga interesa personale apo pozicionime të vjetra ideologjike, nuk përbëjnë vetëm një keqinterpretim të së kaluarës, por janë përpjekje të vetëdijshme për të rishkruar historinë sipas dëshirave të momentit.

Këto përpjekje harrojnë – apo injorojnë me qëllim – një të vërtetë historike thelbësore: kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Evropë, Amerikë e më gjerë, e cila, e organizuar në strukturat e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), ndërmori aksione të shumta sensibilizimi dhe lobimi për të ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare. Demonstratat e organizuara në kryeqytete të ndryshme evropiane, përfshirë edhe ato para Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, dëshmojnë qartë për një vetëdije të lartë kombëtare dhe një strategji të mirëfilltë politike. Këto aksione u shoqëruan me memorandumë e kërkesa zyrtare të dërguara institucioneve ndërkombëtare, për të bërë të ditur situatën dramatike në të cilën ndodheshin shqiptarët nën regjimin shovinist serbomadh.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Klubi Patriotik “Jusuf Gërvalla” dhe këshilli organizativ i tij, në bashkëpunim të ngushtë me Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OKB dhe Ambasadorin Bashkim Pitarka, u kthyen në zërin e fuqishëm të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Përmes protestave të vazhdueshme dhe komunikimeve zyrtare, ata informuan botën dhe shtetin e Amerikës për padrejtësitë e pësuara nga populli ynë. Aktivizimi i kongresistit Joe DioGuardi – i kontaktuar nga anëtarë të këshillit të klubit – përbën një tjetër moment kyç, që shënoi përfshirjen e institucioneve amerikane në mbështetje të së drejtës së shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje.

Në kontrast me këtë përpjekje kombëtare, një pjesë e elitës intelektuale të kohës – të vendosur në pozita të privilegjuara brenda sistemit titist dhe komunist jugosllav – zgjodhi të heshtte, të përfitonte dhe madje të kontribuonte në shtypjen e zërave të patriotizmit. Në vend që të mbështesnin kërkesën e drejtë për “Kosovë Republikë” – si hap i parë drejt bashkimit kombëtar – ata u bënë pjesë e përndjekjes së patriotëve dhe denigrimit të familjeve të tyre. Sot, shumë nga ata që dikur ishin pjesë e aparatit politik të regjimit antishqiptar, shfaqen në skenën publike si mbrojtës të kauzës kombëtare, duke harruar që ishin ata vetë që legjitimonin pushtetin e shovenistëve serbomëdhenj.

Populli ynë duhet të jetë i vetëdijshëm: çlirimi nuk erdhi nga fjalët pompoze apo deklaratat boshe, por nga gjaku i derdhur i më të mirëve ndër ne – nga bijtë dhe bijat e UÇK-së, të cilët, në kushte të jashtëzakonshme, ngritën pushkën për liri dhe dinjitet kombëtar.

Prandaj, nderi dhe mirënjohja duhet t’u takojnë atyre që, politikisht dhe ushtarakisht, u rreshtuan pa hezitim kundër okupatorit – qoftë në malet e Drenicës dhe Deçanit, apo në rrugët e Nju Jorkut, Çikagos,Washingtonit e Gjenevës. Historia nuk mund të rishkruhet sipas interesave të kujt kërkon lavdi të vonuar; ajo do ta ruajë me dinjitet kujtimin e atyre që kontribuan realisht për Liri dhe Bashkim të tokave tona.